Arben Malaj: Nuk vjen asnjë fitore nga veprimet radikale
Deputeti socialist në një reagim për të sqaruar qëndrimin e tij ndaj protestës së PS-së, tha dje se mbetet në mbështetje të kërkesës konstante të ndërprerjes së bojkotit të parlamentit. “Nuk jam tërhequr nga kërkesa publike që PS të marrë pjesë në parlament. Pjesëmarrjen në parlament nuk kushtëzon ndërprerjen e protestave. Qartësisht kemi deklaruar se nuk jemi kundër protestave si një e drejtë legjitime dhe si një mjet demokratik për çdo forcë politike. Kam shprehur publikisht qëndrimin se protestat e pa sinkronizuara me opozitën parlamentare nuk e maksimizojnë efikasitetin e veprimit politik të PS”, u shpreh Malaj për “Panorama”. Sipas tij, bojkoti i institucioneve është element radikalizues. “I mbetem vlerësimit që bojkoti i institucioneve, është element radikalizues i PS-së, duke theksuar se çdo “fitore politike” nga qëndrime radikalizuese është e paqëndrueshme dhe krijon ciklin e krizave të përsëritura”, u shpreh Malaj. Deputeti socialist i bën apel maxhorancës të marrë parasysh kërkesat e opozitës. “Edhe pas protestës së djeshme ritheksoj se zgjidhja duhet të jetë në obligim të sfidave të vendit. Maxhoranca nuk mund ta injorojë efektin negativ të protestave mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend. Pasojat negative të krizave politike të këtij viti në ekonominë e Greqisë, Rumanisë, Hungarisë, janë vlerësuar shumë të rënda për këto vende”, tha Malaj. Sipas tij, nuk është synim i PS-së të krijojë paqëndrueshmëri politike apo përkeqësim të zhvillimeve ekonomike dhe sociale në vend. “Në këtë kontekst, duhet të kërkohet një zgjidhje jo thjesht për protestën, por për demokracinë në vendin tonë, ku standardet e zgjedhjeve janë jetike”, u shpreh Malaj.