Arben Malaj: Rama e drejton PS-në vetëm me servilë dhe shërbëtorë personalë
Në takimin e fundit me socialistët, në vijim të turit “Për modernizimin e forcave politike”, anëtari i kryesisë së PS dhe njëherazi deputeti i kësaj force politike, Arben Malaj, deklaroi se skema e drejtimit të PS-së funksionon sipas meritës së servilizmit. Ai tha se pikërisht modeli i servilit, besnikut dhe jo besnikut, kanë sjellë tkurrjen elektorale dhe fundosjen e PS-së gjithnjë e më tepër në hendekun e krizës zgjedhore.
“PS duhet të krijojë qysh në opozitë modelin e një force politike moderne që të mund të qeverisë ndryshe Shqipërinë. Kjo kërkon që PS të rrisë efikasitetin e saj elektoral, mbështetja e drejtpërdrejtë për PS duhet të zgjerohet ndjeshëm, aleatët e PS duhet të rriten më shumë se çdo herë tjetër, koalicioni i partive politike të spektrit të majtë duhet të jetë qartësisht fitues. Ndaj çdo tendencë radikalizuese në PS, çdo debat shterpë midis brezave, çdo debat për besnikë dhe jo besnikë, çdo parcelizim i elektoratit të majtë, janë pengesat tona reale, janë rrënjët e zgjatjes së pushtetit të Berishës. Viti 2013-ë është shume afër, çdo paqartësi në vizionin e fitores, çdo çoroditje në strategjinë e fitores, çdo tendence për të krijuar forume politike mbi bazën e përulësisë ndaj kryetarëve, dëmtojnë rëndë suksesin tonë elektoral”, u shpreh Malaj.
Deputeti socialist, një nga kritikët e Ramës në parti, ritheksoi se është kundër vendimeve për bojkotimin e Kuvendit.
“Jemi disa deputetë që duam të shkojmë në parlament dhe ky nuk është gjunjëzim ndaj Berishës se na ka vjedhur votat. Berisha nuk e ka fitoren morale as për zgjedhjet e 2009 dhe as për 2011, por Berisha ka fitoren e zgjedhjeve të 2009-ës ashtu siç tashmë ka fitoren e bashkisë së kryeqytetit dhe që të mundim Berishën në zgjedhjet e ardhshme ne duhet që të shkojmë në parlament”, tha Malaj, në takimin e fundit që zhvilloi me të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe socialistë të qytetit të Kuçovës.