E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Nuhiu: “Me Besën do ta fitojmë Kupën!”

Nga Shkupi, Reshat IBRAHIMI
Të mërkurën pasdite skuadra e Arben Nuhiut, Besa nga Kavaja e zhvillon ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë me Shkumbinin e Peqinit. Mesfushori i kavajasve, Nuhiu thotë se Besa udhëton në Peqin për të shënuar rezultat të volitshëm, i cili do të mundësonte kalimin në finalen e madhe, ku do të ballafaqoheshin me fituesin gjysmëfinales tjetër ndërmjet Partizanit dhe Teutës. "Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Takimin e parë e luajmë si mysafirë dhe shpresojmë se do të arrijmë një rezultat të mirë. Pas stërvitjes së sotme do të jemi në karantinë deri para nisjes për në ndeshje. Shkumbini sigurisht se do të sulmojë, ndërsa ne në kundërsulme e presim shansin tonë", është shprehur përmes linjës telefonike "truri" i Besës, Arben Nuhiu. Ai thotë se në historikun e saj Besa, asnjëherë nuk e kishte fituar Kupën e Shqipërisë. "Ky është rast historik për skuadrën e Besës, prandaj do të japim gjithcka nga vetja për të triumfuar në Kupën e Shqipërisë, edhe pse ka ende punë për ta sjell trofeun në Kavajë. Megjithatë në qytetin tonë të gjithë janë duke jetuar për ndeshjen me Shkumbinin, të cilët nuk janë të interesuar për ndeshjet e Kupës, ngase janë të preokupuar me ekzistencën në Super ligën e Shqipërisë", përfundoi Nuhiu. Ndryshe, për Besën është kjo gjysmëfinalja e katërt në 49 edicionet e deritanishme të Kupës së Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›