E Diel, 1 Nëntor 2026

Sporti, me “dylbi” në informacionin elektronik

AGRON KAJA, Gazeta "Panorama Sport"
Media e shkruar shpesh ndodhet në dilemë serioze përsa i përket informimit të saj për gjithcka ndodh në hapësirën sportive kombëtare. Pse? Sepse shpesh ndodh që një lajm zyrtar nuk mund ta gjesh në burime zyrtare, sidomos kur për zyrtarët ka përfunduar orari i punës. Duhet të kërkosh shumë njerëz, duhet të rendësh në ndonjë Bar apo Restorant për t'i kapur lajmdhënësit, të cilët në të shumtën e rasteve janë të kohës së makinës së shkrimit dhe i shmangen dhënies së informacionit. Dhe duke e parë këtë moment në ecurinë e transformimit të informacionit sportiv, kërkesa për një lajm nga institucionet sportive, apo edhe nga federatat, nuk të jep aspak mundësinë për t'i dhënë lexuesve hollësitë e mundshme që ndodhin në sportet e ndryshme, apo në institucionet tona sportive. Jo se kështu duhen nënvleftësuar puna që bëjnë korrespondentët apo gazetarët, por sepse ka lajme të tilla të cilat deklarohen në momente që vetëm nëpërmjet mjeteve të informimit telefonik dhe elektronik mund t'i marrësh. Por në telefonat celularë të zyrtarëve drejtues në federatat dhe institucionet sportive në Shqipëri, shpesh në të tilla situata lajmesh dëgjohet "...abonenti i kërkuar mund të ketë fikur telefonin, ose është jashtë zonës së mbulimit me sinjal", kështu që detyrimisht ky informacion e ka një rrugë të sigurtë, postën elektronike. Këtë e bën Italia, Franca, Anglia, Greqia e shumë shtete të tjera evropiane në të gjitha llojet e sporteve, por kryesisht në futboll. Nga ana tjetër, të vjen keq që këtë ende nuk mund ta gjejmë këtu në Shqipëri dhe arsyet janë nga më të shumtat, por duhet thënë edhe fakti se nga federatat e ndryshme sportive ka preferenca në dhënien e lajmit, sidomos ato ekskluzive. Ndoshta nuk është ky problemi, por e rëndësishme është që ky "parcelizim" në dhënien e lajmit të hiqet nga metodat e vjetërruara postkomuniste dhe lajmi të quhet si detyrë e gjithkujt për ta deklaruar në mediat sportive. Parë në këndvështrimin e detyrimit të gjithsecilit, hapësira elektronike është mundësia më e mirë që cdo lajm, informacion, intervistë, ndeshje, etj që kap hapësira sportive, të publikohet në kohën e duhur. Të vjen keq, por krijon edhe një antipati profesionale kur sheh që nga drejtues të institucioneve sportive apo të federatave të ndryshme, një lajm i tyre u jepet vetëm një gazete apo televizioni, thua se këta e kanë federatën pronë të tyre, që në Shqipëri këto federata janë vetëm shtetërore. Natyrshëm, që në një situatë sociale të pastabilizuar në Shqipëri, edhe ky moment informacioni të ketë problematikën e vet, por duke menduar se tashmë në drejtim të federatave janë parë edhe njerëz që i afrohen pak kohës së elektronikës, posta e tyre elektronike dhe faqet zyrtare në internet duhet të jenë të plotësuara me lajmet nga më të ndryshmet dhe jo në njërin kah. Se në fund të fundit, aty pasqyrohet puna e tyre dhe nëpërmjet tyre, edhe në mediat sportive bëhet një publikim më i gjërë. Deri tani FSHF-ja e ka një faqe zyrtare të internetit www.fshf.org, por informacioni aty është shumë i vonuar, aq sa i sheh njëherë në televizione e i lexon në gazeta, pastaj në faqen e internetit të FSHF-së. Ndërsa në federatat e tjera sportive kjo duket një punë e largët e parë me "dylbi", përjashtuar KOKSH-in dhe ndonjë informacion pa rëndësi në faqen zyrtare të internetit të MTKRS-së. Ndërsa në këto faqe që ekzistojnë, është e vështirë të gjesh historinë e sporteve tona. Psh, nuk gjen dot se kur është ndeshur për herë të parë X skuadër me Y skuadër, sa herë janë takuar në kampionate, nuk dihen ndeshjet e kombëtares apo përballjet me kundërshtarët e rinj. Pra, ka një sërë faktesh të cilat tregojnë se gazetarët sportivë do të jenë të detyruar të bëjnë punën e disa nënpunësve në federata e institucione sportive, ndërsa ata mbajnë kollaret drejt si brenda edhe jashtë Shqipërisë, edhe pse në të shumtën e rasteve nuk dinë të flasin asnjë gjuhë të huaj. Tashmë funksionojnë disa faqe interneti për sportin si: www.albaniasoccer.com, www.tifozat.com e së fundi www.albania-sport.com e së fundi www.albaniasport.net, në të cilat ka pasur shpesh edhe lajme realë e të publikueshëm edhe në mediat e tjera. Por edhe këtu ka mangësi historia e sportive, ka mangësi individi i spikatur në cdo lloj sporti, e në ndonjë rast, ka mangësi edhe ai lajm që i duhet momentit sportiv, për të mos thënë që mungojnë reportazhi, analiza e komenti profesional. Ja pse duhet që ky moment të ecë më shumë me kohën dhe jo me makinën e shkrimit, sepse të kapësh botën duhet të nisesh nga disa parametra ku njeri prej të cilëve është edhe informacioni elektronik. Ndoshta duhet që ky aspekt të prekë edhe domosdoshmërinë e ndryshimit të burimeve njerëzore që e përgatisin dhe e publikojnë gjithcka që i duhet medias sportive në Shqipëri. Sot për sot ky problem është duke u parë me dylbi, në kuptimin funksional, por skarcitetet gradualisht duhet të zbresin nga piramidat e dhënies së lajmit që gjithcka të kapë kohën e humbur në këto 17 vite që i quajnë demokraci.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›