E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama pas rizgjedhjes:Bojkoti do vazhdojë,Dritëroi: Keqardhje e madhe për Fatos Nanon

 

Aristir Lumezi

“Nuk do të ketë marrëdhënie normale me këtë parlament deri sa të zbardhet e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit”. Menjëherë pasi është rikonfirmuar në krye të Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një komunikimi me mediat në orët e pasdites së djeshme, ka ritheksuar vendimin për marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin deri në zbardhjen e asaj që socialistët e quajnë “krim elektoral të 28 qershorit”. “Nëse do të vazhdojmë bojkotin, sot i përgjigjem me forcë se nuk ka marrëdhënie normale me Parlamentin nëse nuk na jepet e drejta të zbardhim zgjedhjet, nëse nuk na jepet e drejta për të bashkëjetuar si të barabartë në këtë shtet”, u shpreh Rama. Duke falënderuar të gjithë ata që besuan në rikonfirmimin e tij në postin e kryetarit të Partisë Socialiste, Rama theksoi se votimi i tij ishte shprehje e vullnetit të plotë të socialistëve jo vetëm për zgjedhjen e kreut, por edhe mbështetje e qëndrimit ndaj maskaradës zgjedhore. Kreu i sapozgjedhur i PS-së nënvizoi se partia që ai drejton do të vazhdojë luftën për të drejtat e saj dhe të shqiptarëve, kundër përpjekjeve të treshes Berisha-Meta-Nano. “Ne e dimë që nuk do të jetë e lehtë, kundërshtarët tanë kanë me vete fuqi financiare e mediatike që ne nuk i kemi, por ata nuk kanë me vete të drejtën dhe nuk bëjnë dot si veten shumicën e shqiptarëve. Goditjet e orkestruara nga Meta, Berisha e Nano, nuk gjunjëzojnë dot PS-në, e cila ka me vete të drejtën, forcën e arsyes dhe zemrën e shqiptarëve”, vazhdoi më tej kreu socialist. Ndër të tjera, Rama shprehu bindjen dhe dëshirën për të bashkëpunuar në drejtimin e PS-së edhe me kandidatin tjetër në garë, Maqo Lakrorin, ndërsa theksoi se puna për reformimin e PS-së do të nisë menjëherë.
“Faleminderit edhe rivalit tim në këtë ballafaqim idesh e qëndrimesh të ndryshme përpara anëtarësisë, Profesor Maqo Lakrorit, i cili mbrojti me dinjitet një platformë interesante si edhe pikëpamjen e tij, krejt të ndryshme nga e imja, lidhur me marrëdhënien e Partisë Socialiste me Parlamentin. Unë do të bashkëpunoj me të për të integruar një sërë elementesh të dobishëm të platformës së tij në projektin tonë të ri të reformimit partisë. Puna për këtë reformë do të nisë menjëherë, duke përfshirë të gjithë anëtarësinë socialiste në një diskutim të gjerë, ku ftoj qysh sot edhe të gjithë ata jo anëtarë partie që janë të interesuar për të nxitur ndryshime në fizionominë e në programin e forcës sonë të madhe”, u shpreh Rama. Duke shprehur platformën e tij në krye të PS-së, se si ai do të drejtojë këtë forcë politike, Rama tha se PS-ja do të jetë e hapur për të gjithë ata që janë kundër qeverisë. “Nuk ka Parti Socialiste të ulur në Kuvend, por vetëm opozitë të bashkuar, përtej të majtës e të djathtës, në këmbë në të gjithë Shqipërinë, në qoftë se të drejtën taksative që na e jep forca e ligjit për hapjen e kutive të votimit vazhdon të na e mohojë arbitrarisht pushteti i politikës së vjetër të Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos”, tha Rama. Sipas tij, “Partia Socialiste është shtëpia e të gjithë socialistëve dhe për të gjithë socialistët e socialistet, që e shkuara e interesave të vogla të mbështjella me fjalë të mëdha i largoi apo ndau nga kjo shtëpi e madhe, është koha e bashkimit nën çatinë e vlerave e parimeve të patjetërsueshme të familjes sonë politike”. “Nuk është më koha e sherreve të vjetra, por e ideve të reja. Madje është koha për të kërkuar e gjetur me kurajo shumë gjërat që na bashkojnë, jo vetëm mes nesh, por edhe jashtë nesh, me të tjerë njerëz që s’i ne përpiqen për një Shqipëri më të mirë, qofshin majtas apo djathtas, dhe që, njësoj si ne, janë të gatshëm të luftojnë vendosmërisht për lirinë e të drejtat e nëpërkëmbura papushim”, tha Rama.

Dritëroi: Nano sulmon me thashetheme

aristir lumezi

Kryetari i saporizgjedhur i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte dje për një vizitë në familjen e Dritëro Agollit, së bashku me deputetët Eduart Shalsi e Vasilika Hysi. Shkrimtari i njohur i socialistëve komentoi gjatë bisedës me Ramën dhe intervistën që pak ditë më parë, ish-kryetari socialist Fatos Nano zhvilloi në emisionin “Opinion” në Tv Klan. “Nano vërtet jeton në Vjenë, në një nga qendrat më të mëdha të kulturës në Evropë, por ai sikur nuk vinte nga Vjena, por nga qenefët e Vjenës. Një keqardhje e madhe ku mund të përfundojë njeriu, por edhe fjalët, jo vetëm të këqija, por edhe thashetheme, d.m.th. një diskutim në televizor me thashetheme, filani ka thënë kur dëgjoi që erdha unë, filani ka thënë kështu”, u shpreh Agolli. Dy ditë para votimit për kreun socialist, Fatos Nano akuzoi Edi Ramën se po shkatërron PS-në, ndërsa nuk ngurroi të denoncojë dhe një kërcënim me jetë që njerëz të botës së krimit, pranë Ramës, i kishin bërë atij përmes një mesazhi në celular. Gjatë bisedës me Edi Ramën në shtëpinë e tij, Agolli duke iu referuar edhe faktit që Rama nuk i ktheu përgjigje Nanos, duke thënë se “Populli e thotë shumë mirë atë shprehjen, që po u përzjeve me krundet të hanë pulat. Më mirë me krundet nuk duhet të përziesh”. Shkrimtari i njohur komentoi dhe qeverinë e maxhoranës PD-LSI, e cila sipas tij nuk do të ketë jetëgjatësi. “Është një qeveri me këmbë shumë të shkurtra, është qeveri xhuxhe, sepse vendime të mëdha ajo nuk merr, vendimet e mëdha merren nga 84 deputetë”, u shpreh Dritëroi. Ndërsa kreu socialist ripërsëriti qëndrimin e deputetëve të PS-së për të kërkuar zbardhjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të votimit. “Kushti thelbësor është një, është që të bëjmë komisionin hetimor, me shumicë të opozitës. Jemi gati të hyjmë në Kuvend që nesër, n.q.s ata bien dakord që ne të hetojmë dhe të bëjmë transparencë për procesin zgjedhor, dhe brenda hetimit është hapja e kutive për të parë realisht se çfarë kanë brenda kutitë, qoftë vota, qoftë lista. Hapen kutitë dhe gjithë populli e shikon çfarë kanë kutitë brenda, sepse këtë e ka ligji. Hapja e kutive i jep fund një historie 20-vjeçare, bëj procesverbale false, fut vota në kuti, bëji listat sipas qejfit, hap tjetër listë në kuti, tjetër listë e shpallur, votojnë pesë herë, voto si emigrant dhe në fund fare e pëson një popull i tërë, se nuk merr dot vendim, ky është thelbi i çështjes”, u shpreh Rama. Kreu socialist i ka dhuruar patriarkut të PS-së librin e tij “Edi Rama”, të promovuar pak kohë më parë, i cili përbëhet nga shënime në formë ditari, të cilat gjithashtu janë shoqëruar me skica e vizatime. Me një dedikim për shkrimtarin e madh, Rama i dorëzoi Agollit librin e tij. Të shtunën, shkrimtari i njohur, pasi votoi në selinë e PS-së për kreun e ri të PS-së, i dha disa këshilla Ramës se si duhet të drejtojë PS-në në të ardhmen. “Udhëheqësi të jetë më i afërt me njerëzit, më kokulur, të shprehë dashuri ndaj të gjithëve”. Shkrimtari i njohur shprehu dhe vlerësimin e tij lidhur me bojkotin që deputetët socialistë po i bëjnë Parlamentit, duke vendosur disa kushte. Sipas tij, ky bojkot nuk duhet të zgjasë shumë, ndërsa kërkesat që i janë drejtuar maxhorancës janë sipas tij dhe një përpjekje për të verifikuar veten përballë votës së elektoratit, por dhe për të sqaruar nëse ka pasur apo jo manipulime dhe çrregullime gjatë procesit të votimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›