E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Nëse është 4-vjeçar, mandati i Ramës quhet i grabitur

 

Deputeti socialist Ben Blushi, një nga drejtuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, tha dje në emisionin “Fakt” të gazetarit Çlirim Peka  se mandati i Ramës nëse do të jetë katërvjeçar konsiderohet si grabitje dhe jo zgjedhje. “Nëse nuk do të ketë garë në vitin 2011 për kreun e PS-së, ky mandat i zotit Rama do të jetë i grabitur”, u shpreh Blushi. Deputeti socialist e konsideroi garën mes Ramës dhe Lakrorit si të pavërtetë. “Ky ishte një proces i pavërtetë. Nuk dëgjova ndonjë platformë nga zoti Rama dhe shumë pak mendonin se zoti Lakrori do të mundte zotin Rama. Këto zgjedhje nuk të jepnin mundësi për të hyrë në garë. E njoh Edi Ramën si kryetar të PS-së përsa kohë ka një mandat. Unë nuk kam votuar për të, por ai ka një mandat përgjithësisht legal. Në momentin që hynte në garë zoti Rama, procesi kishte një polarizim. Nëse unë do isha në fushatë me zotin Lakrori, do të ishte një fushatë shumë e vërtetë, do të kishte një platformë konkrete. Unë i kam kërkuar zotit Rama të pranonte arsyet se pse PS-ja humbi zgjedhjet. Nuk kishte një projekt të ri, kemi dëgjuar vetëm se grupi i PS-së nuk do hyjë në Parlament, madje dhe protesta në rrugë. Zoti Rama nuk bëri një projekt që do të sjellë PS-në në pushtet. Për këto arsye unë nuk kam marrë pjesë në zgjedhje”, u shpreh Blushi. Sipas deputetit, njëkohësisht dhe anëtar i Kryesisë socialiste, ende nuk është marrë një përgjigje nga Edi Rama se pse PS-ja humbi zgjedhjet e 28 qershorit. “Kjo fushatë idesh apo mendimesh ndryshe në PS është hapur sepse Edi Rama ka humbur zgjedhjet. Dhe unë bashkë me shumë njerëz të tjerë, edhe ata që nuk flasin, nuk po marrin ende përgjigje përse kemi humbur zgjedhjet. Edi Rama nuk merret fare me arsyet e brendshme përse humbëm zgjedhjet”, u shpreh Blushi. Deputeti socialist duke folur për marrëdhëniet e PS-së me LSI-në, u shpreh se nëse PS-ja do kishte marrë shumicën e mandateve të deputetëve, LSI do të bashkëpunonte me PS-në. Blushi tha se do të vazhdojë të jetë kritik në PS për sa kohë gjërat nuk shkojnë si duhet dhe pengojnë sjelljen e kësaj force politike në pushtet. “Do jem kritik deri në zgjedhjet lokale për sa kohë që gjërat nuk do ndryshojnë në raport me Parlamentin, apo nuk ka një raport cilësor përballë qeverisë, apo nuk ka një raport të shëndoshë për bashkimin e së majtës. Të gjitha këto rezerva unë do t’i shpreh nëse do të ketë. PS-ja dhe Edi Rama nuk është e njëjta gjë, prandaj vëmendja ime përqendrohet tek ngritja dhe shëndoshja e PS-së”, tha Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›