Arben Ristani votohet në krye të KQZ-së
Kuvendi miratoi gjatë seancës së djeshme anëtarët e rinj të KQZ-së. Kryetar i Komisionit të ri Qendror Zgjedhor u zgjodh Arben Ristani, me 98 vota pro, 9 kundër dhe 7 abstenime. Kandidaturë tjetër për këtë post ishte këshilltarja e kryeministrit Berisha, Albana Vokshi. Deputetët e dy partive të mëdha miratuan me shumicë votash për postet e anëtarëve të KQZ-së Klement Zgurin, propozim i Partisë Republikane, Pandeli Varfin, propozim i Partisë Socialdemokrate, Dëshira Subashin dhe Artan Lazen, propozime të Partisë Socialiste, si dhe Hysen Osmanajn dhe Vera Shtjefnin, propozime të Partisë Demokratike. Gjatë seancës së djeshme nuk morën pjesë në votim deputetët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Në emër të LSI-së, Pëllumb Xhufi e cilësoi KQZ-në e re jokushtetuese dhe të kontrolluar nga dy partitë e mëdha politike. Gjatë paradites së djeshme anëtarët e KQZ-së morën mbështetjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Gjatë seancës së djeshme u miratua me 106 vota pro dhe dekreti i presidentit Topi për emërimin e Admir Thanzës në postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
3 Shkurt 2009