E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi. Si do të zhvillohen tenderat për blerje materialesh nga institucionet që zotërojnë Sekret Shtetëror

Firmat që marrin pjesë në prokurime duhet të pajisjen me certifikatë sigurie. Si do të bëhet verifikimi i subjekteve që do të marrin pjesë në tendera

Shaban Sulçe

Çdo firmë private, që do të kërkojë të marrë pjesë në prokurimet
për ofrimin e mallrave dhe shërbimeve në drejtim të institucioneve që kanë lidhje me sigurinë kombëtare dhe që përmbajnë informacion të klasifikuar “Sekret Shtetëror”, duhet të pajiset më parë me “Certifikatën e Sigurimit Industrial”.
Një gjë e tillë është vendosur në vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave, që ka sanksionuar vendosjen e kontratave dhe certifikatave të sigurisë për prokurimet që kanë të bëjnë me institucionet që zotërojnë Informacion të klasifikuar “Sekret Shtetëror”. Informacione të tilla kanë të bëjnë me plane ushtarake, armatime ose operacione, me aftësi apo dobësi, kapacitete të sistemeve, instalimeve, projekteve dhe planeve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Së treti, një informacion i tillë klasifikohet në procese të tilla që kanë të bëjnë me veprimtari të shërbimeve informative, me forma dhe metoda të punës, me kriptologji në objektet e mjetet teknike, në vendet ku përpunohet dhe arkivat ku ruhet informacioni. Së katërti, me informacione të qeverive të huaja, marrëdhënie ndërkombëtare ose me veprimtari ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, si dhe me burime konfidenciale si dhe me çështje shkencore, teknologjike dhe ekonomike që kanë lidhje me sigurinë kombëtare.

Negociimi
Përpara se të kryhen prokurimet për blerjen e mallrave, institucionet që zotërojnë informacion të klasifikuar “Sekret Shtetëror” duhet të verifikojnë subjektet që kërkojnë të hyjnë në marrëdhënie ekonomike me këtë autoritet kontraktor. Autoriteti kontraktor kërkon dokumentacionin përkatës nga ofertuesit për lidhjen e kontratës së klasifikuar dhe, pasi kryen verifikimin paraprak, i kërkon Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pajisjen e tyre me certifikatë të sigurimit industrial. Pas lëshimit të certifikatës së sigurimit industrial, në nivelin më të lartë të informacionit të klasifikuar, që do të përfshihet në kontratën e klasifikuar, autoriteti kontraktor shpërndan ftesat për pjesëmarrje të ofertuesve në procedurën për negociimin dhe kryen negociatat për përzgjedhjen e kontraktuesit. Sipas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, zhvillimi i tenderit duhet të krijohet në kushte sigurie. Çdo operator ekonomik, i cili ftohet të marrë pjesë në negociata, në procedurën për negociimin dhe në përzgjedhjen e kontraktuesit, duhet të jetë i pajisur me certifikatë sigurie të përshtatshme. Pas verifikimit, Autoriteti kontraktor njofton, me shkrim, operatorin ekonomik fitues dhe nënshkruan me të kontratën.

Certifikatat

Firmat që do të ofrohen për të marrë pjesë në procedurat e tenderimit duhet të plotësojnë pyetësorin e sigurimit industrial.
Procesi i verifikimit të tyre bëhet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e cila u kërkon insitucioneve përkatëse, që kanë lidhje me sigurimin kombëtar, me rendin kushtetues, rendin publik, me organet e drejtësisë, të prokurorisë dhe ministrive e institucioneve të tjera shtetërore, si dhe subjekteve private, kur e gjykon të nevojshme, verifikimin e operatorit ekonomik. Pas kësaj procedure, kjo drejtori i kthen përgjigje autoritetit kontraktor për pajisje me certifikatë të sigurimit industrial brenda tre muajve nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast se firmat private do të deklarojnë informacion të rremë, ato nuk do të pajisen me certifikatën e sigurimit industrial. Në rastet kur kontraktuesi është operator ekonomik i huaj, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar bashkëpunon me autoritetin e sigurimit kombëtar të vendit përkatës. Vetëm pasi kanë përfunduar procedurat e verifikimit, DSIK-ja, në përfundim të procedurës së verifikimit, kur e gjen të mbështetur në legjislacion, lëshon certifikatën e sigurimit industrial. Në rast moslëshimi të certifikatës së sigurimit industrial, DSIK-ja vë në dijeni autoritetin kontraktor, të cilit i parashtrohen arsyet e mospranimit. Certifikata e sigurimit industrial është e vlefshme për aq kohë sa duhet për realizimin e kontratës, por jo më shumë se tre vjet. Në rastet kur kontrata e klasifikuar është mbi 3 vjet, procedura e verifikimit për pajisjen me certifikatë të sigurimit industrial rifillon.

DETYRIMET E OPERATORËVE EKONOMIKË

Operatorët ekonomikë detyrohen të japin informacion:

a) Për statusin ligjor të tyre;

b) Për strukturat dhe kapitalin;

c) Për trupën administrative, për punonjësit, që do të marrin pjesë në realizimin e kontratës dhe supervizorët;

ç) Për sistemin e mbrojtjes dhe masat e sigurisë për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, që do t’i besohet gjatë realizimit të kontratës;

d) Për rastet nëse ka marrë pjesë, më parë, në realizimin e kontratave të klasifikuara, brenda ose jashtë vendit;

dh) Për punonjësit e autorizuar, që do të kenë të drejtë të njihen me informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”;

e) Për personin ose personat përgjegjës, të autorizuar nga operatori ekonomik për marrjen e masave për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, gjatë të gjitha fazave të realizimit të kontratës.

Kthimi i informacionit
Operatori ekonomik është i detyruar të kthejë tek autoriteti kontraktor të gjithë informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” menjëherë ose, maksimumi, deri brenda 5 ditëve, në rastet:

a) kur nuk ia pranojnë ofertën;

b) kur tërhiqet nga pjesëmarrja në negociata;

c) kur nuk përzgjidhet si kontraktues;

d) kur bëhet zgjidhja në mënyrë të parakohshme e kontratës.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›