E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen makinat, vdes i riu, tre të tjerë në spital



KAVAJË - Një aksident i ka marrë jetën një të riu pas një përplasjeje të ndodhur në Kavajë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë bërë të ditur se nga aksidenti i ndodhur dy ditë më parë ka ndërruar jetë Edmond Haka, drejtues i automjetit tip “Volkswagen Golf” me targa By 322 LP. Gjithashtu në këtë ngjarje janë plagosur dhe 3 personat të tjerë, të cilët ndodheshin në makinën tjetër. Aksidenti ka ndodhur në unazën e vogël të qytetit të Kavajës, kur automjeti “Ford” fuoristradë me targë TR 5328 R, i drejtuar nga Elvis Lala, 26 vjeç, nga Durrësi, ka goditur nga pas automjetin tjetër. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në hyrje të autostradës Durrës- Kavajë. Tre të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Uniformat blu thanë se kanë arrestuar në flagrancë Elvis Lalën, i cili është vënë nën akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Pas ndalimit, dosja me materiale i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ngjarja
I jep fund jetës 38-vjeçari, mister shkaqet

SHKODËR - I jep fund jetës duke u vetëqëlluar me armë në tokën e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Gruemirë e Re, në Shkodër. Kanë qenë burimet zyrtare të Policisë së Shkodrës që kanë bërë të ditur se, rreth orës 12:15 të ditës së djeshme, Agron Isufi është gjetur i vetëvrarë në tokën e tij. Viktima është banor i këtij fshati. Kanë qenë familjarët që e kanë gjetur trupin e pajetë të 38-vjeçarit dhe menjëherë është njoftuar policia. Të afërmit kanë bërë tentativa për t’i ardhur në ndihmë atij, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi plumbi i kishte marrë jetën. Në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar efektivë të Policisë së Shkodrës, të cilët kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Këta të fundit kanë deklaruar se ngjarja ka ndodhur në tokën e viktimës dhe se ai është vetëqëlluar me armë. Uniformat blu kanë marrë dëshmitë e familjarëve, por ende nuk është zbuluar shkaku se, përse i ka dhënë fund jetës 38-vjeçari. Burime nga policia thanë se, janë duke bërë hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

I dehuri godet policin rrugor, përfundon në qeli

PUKË - Kundërshton dhe godet me grushte policin, arrestohet një 36-vjeçar. Arrestimi është bërë në qytetin e Fushë-Arëzit, Pukë. Burime nga policia lokale thanë se, ndalimi i Petrit Ndocit është bërë dy ditë më parë. I ndaluari në orën 22:00 në aksin rrugor Fushë-Arrës - Pukë, pikërisht në dalje të qytetit, në gjendje të dehur, ka goditur me grushte shtetasin E. D., 24 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë së Qarkullimit Rrugor. Ai e ka goditur efektivin blu për shkak të detyrës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës thanë se janë kryer veprimet e duhura procedurale dhe materialet në ngarkim të Petrit Ndocit i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›