E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbëreshët çelin konkursin e tyre letrar edhe për shqiptarët



Arbëreshët i identifikojmë zakonisht me një territor të caktuar, atë të fshatrave dhe qytezave të Italisë së Jugut, ku ndodhet pjesa më e madhe e vendbanimeve të tyre historike. Por profesor Vincenzo Cuçi, arbëresh, pedagog i artit në shkollën e muzikës në Chieri, afër Torinos, thotë se nuk duhet harruar fakti që edhe ata, ashtu si pjesa më e madhe e bashkëkombasve të tyre italianë, janë prekur gjatë viteve nga fenomeni i emigracionit të brendshëm duke u zhvendosur nga pak, kudo në pjesën tjetër të Gadishullit Apenin. Kështu, nuk është për t’u habitur që nga bashkësitë më të mëdha arbëreshe të Italisë nuk e gjejmë në jug, por në veri të vendit, madje në veriun më të skajshëm, në rajonin më veriperëndimor të çizmes, në Piemonte. Mbi 6 mijë banorë të këtij rajoni, i cili e ka njohur së fundmi gjuhën e tyre, arbërishten apo shqipen e vjetër, si gjuhë e mbrojtur e një pakice gjuhësore historike, kanë prejardhje arbëreshe. Arbëreshët e Piemontit, ashtu si edhe të afërmit e tyre të Puljas, Kalabrisë apo Sicilisë, janë shumë krenarë për prejardhjen dhe rrënjët e tyre historike. Ndaj nuk është për t’u çudituar që një ndër organizatat më aktive që veprojnë për ruajtjen e gjuhës dhe të trashëgimisë kulturore arbëreshe është edhe Vatra Arbëreshe e Chierit, një qytezë fare pranë Torinos, kryeqendrës së rajonit. E themeluar në maj të vitit 2000, Vatra Arbëreshe e Chierit është një shoqatë që vepron në kuadër të ligjit për pakicat gjuhësore historike të Italisë. Që nga viti i parë i themelimit të saj, Vatra Arbëreshe zhvillon dhe promovon një seri veprimtarish që kanë të bëjnë me kulturën arbëreshe. Një nga veprimtaritë e saj kryesore është edhe çmimi letrar “Giorgio Kastriota Scanderbeg”. Sipas prof. Cucit,???????????//, i njohur e i vlerësuar në të gjithë Italinë, çmimi “Giorgio Kastriota” është një nga evenimentet letrare dhe kulturore më të rëndësishme të botës arbëreshe. I ndarë në disa seksione, ai i kushtohet vlerësimit të krijimeve të reja poetike në gjuhën e arbërit, duke nxitur kështu përdorimin sa më të gjerë të kësaj idiome të lashtë të ruajtur me xhelozi gjatë shekujve në katundet arbëreshe. Prof. Cuci thotë: “Këtë vit çmimi, konkursi mbërrin në Edicionin e tij të 8-të dhe pëson një transformim të rëndësishëm. Ai hapet për herë të parë edhe për krijimet poetike në shqipen standarde, duke u dhënë kështu mundësinë krijuesve të rinj dhe atyre të afirmuar nga të gjitha trevat shqiptare të konkurrojnë në këtë konkurs të bukur e të veçantë në një seksion të posaçëm kushtuar atyre”. Materialet e dërguara do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga personalitete të shquara të artit dhe të kulturës shqiptare, të cilët do të vlerësojnë poezitë në shqip krahas kolegëve italo-shqiptarë, të cilët do të vlerësojnë prurjet në arbërisht të seksionit tradicional. Krahas çmimit për poezitë e reja më të mira, do të jepet gjithashtu edhe një çmim karriere për një personalitet të gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Autorët fitues do të ftohen të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, me një vlerë simbolike prej 750,00 eurosh, ceremoni që do të mbahet në Chieri, Torino, në muajin dhjetor të këtij viti.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›