E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirlinda Rexhepi, piktorja kosovare ekspozon në Poloni



Mirlinda Rexhepi prezantohet në galerinë MBWA “Jatki” në Poloni
Ekspozita personale “Shekulli i ri”, e piktores Mirlinda Rexhepi, është hapur në galerinë MBWA “Jatki” në Nowy Targ të Polonisë. Kjo ekspozitë paraqet punën e katër viteve të fundit në krijimtarinë e Rexhepit. 20 pikturat e ekspozuara janë pjesë e katër cikleve të ndryshme të artistes, ndërsa janë realizuar në teknikën e akrilikut në pëlhurë. “Është privilegj që veprat e mia po prezantohen në këtë galeri ku vite më parë u organizuan ekspozitat e dy emrave të mëdhenj të artit botëror, Marc Chagall dhe Pablo Picasso”, - ka thënë Rexhepi në hapje të ekspozitës. “Ishujt”, “Gara për…!”, “Një botë tjetër” dhe “Ndoshta frikë” janë titujt e cikleve të prezantuara në këtë ekspozitë. “Tri ciklet e para paraqesin ndryshimet e mëdha në botë, përkatësisht evoluimin e njeriut nga lashtësia deri sot”, - ka thënë Rexhepi, “derisa cikli i fundit paraqet “frikën” për fatin e vlerave njerëzore në këtë ritëm të shpejtë të zhvillimit të shoqërisë sot”. Anna Dziubas, drejtoreshë e galerisë “Jatki”, ka vlerësuar lart ekspozitën e Rexhepit. Sipas saj: “Kjo ekspozitë është tregim për emocione dhe ndodhi, pasqyruar përmes vijave të forta grafike e deri te ngjyrat monokromatike”. Duke veçuar ekspresivitetin e ciklit “Ishujt”, Dziubas tha: “Ngjyra e kuqe, e zezë dhe vijat dinamike gërshetohen shumë mirë në punimet e Mirlinda Rexhepit”. Po këtë vit, Rexhepi do të vazhdojë me paraqitjet e saj në skenën ndërkombëtare të artit pamor. “Bashkë me kolegë të tjerë nga Kosova, në dhjetor do të prezantohemi në disa ekspozita kolektive në qytete të ndryshme të Spanjës. Me kaq do ta përmbyll aktivitetin tim për këtë vit”, - ka përfunduar Rexhepi në një prononcim për mediat e Kosovës. Piktorja Mirlinda Rexhepi deri tani është prezantuar në më shumë se 40 ekspozita kolektive brenda dhe jashtë Kosovës. Ajo po ashtu është fituese e çmimit të parë për pikturë në ekspozitën “Salloni i Nëntorit XXXII” më 2005-n, në Prishtinë. Ekspozita “Shekulli i ri” do të qëndrojë e hapur deri më 11 nëntor.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›