Solana: “Vendosja e EULEX-it do të bёhet nё dhjetor”
Solana gjatë ditës së djeshme u takua me sekretarin e Pёrgjithshёm tё NATO-s, Jap de Hop Shefer, i cili tha se çёshtja e EULEX-it ёshtё e rëndësisë së veçantë edhe pёr NATO-n, ashtu si pёr Bashkimin Europian. Shefer tha se KFOR-i do të vazhdojё tё veprojё nё Kosovё nё kuadёr tё mandatit dhe shpresohet të gjendet një formulë, e cila nuk do lejojё krijimin e një gjendjeje të pakëndshme mes KFOR-it dhe EULEX-it gjatё procesit tё zbarkimit.
Ambasadori kosovar, Spahiu, mbërrin në SHBA
I ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, u nis dje për në Uashington, në krye të misionit si diplomat. “Ne do të jemi zëdhënësit e qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës te qeveria amerikane dhe populli amerikan. Prioritetet tona do të jenë prioritetet e Ministrisë së Jashtme dhe qeverisë së Kosovës”, - deklaroi Spahiu për mediat para nisjes. Ai e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm momentin që Kosova po krijon sistemin diplomatik dhe përfaqësimin e vet si shtet i ri në botë.
Spahiu është ndër të parët të ngarkuar me punë që është nisë jashtë vendit. Ambasadorët e parë të Kosovës u dërguan në Shqipëri, Turqi dhe Austri. Spahiu është njëri prej 10 ambasadorëve që Kosova ka zgjedhur të përfaqësohet fillimisht.
Kryeministri Thaçi nënshkruan dy marrëveshje me Luksemburgun
Kreu i qeverisë kosovare, Hashim Thaçi, ka nënshkruar dje dy marrëveshje bilaterale me qeverinë e Luksemburgut. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, që arrijnë shumën 6 milionë euro, u bë në kuadër të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Ato janë të destinuara të venë në zbatim projektet që ndihmojnë zbutjen e gjendjes sociale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës të një pjese të popullsisë që ende ballafaqohet me vështirësi të përditshme. Kryeministri Thaçi me këtë rast falënderoi qeverinë e Luksemburgut për gatishmërinë e bashkëpunimit dhe përkrahjen që po i bën Kosovës, duke garantuar se në Kosovë do të sundojë ligji, siguria dhe thellimi i bashkëpunimit me të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe më gjerë.
Shkup, diplomati: “Zgjidhja e emrit, pas zgjedhjeve presidenciale”
Zgjidhja e çështjes së emrit mund të shtyhet si pasojë e zgjedhjeve presidenciale dhe lokale që do të zhvillohen në Maqedoni më 15 mars. Agjencia e lajmeve shqiptare në Maqedoni, INA, ka cituar një diplomat perëndimor, i cili është shprehur se “zgjedhjet janë ato që do të ndikojnë tej mase që liderët t`i ikin përgjegjësisë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Nuk priten rezultate konkrete. Por edhe zgjedhjet presidenciale në SHBA janë një faktor që mund të çojnë në shtyrjen e gjetjes së një zgjidhjeje”. Autoritetet e larta shtetërore në Maqedoni nuk kanë paralajmëruar ndonjë takim konsultativ të radhës për të diskutuar për çështjen e emrit. Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se nuk kishte dijeni nëse do të zhvillohet ndonjë takim i ri mes tij dhe presidentit Cërvenkovski për shqyrtimin e pakos së fundit të ideve për emrin të ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimiç. Propozimi i fundit i ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara Metju Nimiç është që emri kushtetues të ketë përdorim brenda vendit dhe në komunikimin dypalësh me shtetet tjera, ndërsa propozimi “Republika Veriore e Maqedonisë” të përdoret në komunikimin ndërkombëtar. Ndërkohë kryediplomatja greke Dora Bakojani ka deklaruar dje se qëndrimi i Greqisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO varet nga çështja e emrit.
“Vetëm kur të arrijmë një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët, do të biem dakord për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO“, - tha kryediplomatja për të përditshmen greke “Tanea”.
28 Tetor 2008