E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në SHBA, qytetet e vogla në Nevada me rol vendimtar



Një nga qytetet që është cilësuar nga grupet e pavarura të anketimeve si i pavendosur për zgjedhjet e 4 nëntorit është Nevada. Ky shtet ka 5 vota të kolegjit elektoral, të cilat tani për tani nuk dihet se kush do t’i fitojë. Nevada votoi për kandidatin republikan në dy zgjedhjet e fundit, më 2000-n dhe më 2004-n. Por ajo që shihet këtë vit është mbështetja për demokratët. Fitorja e sivjetshme e Nevadës mund të përcaktohet edhe nga qytete të vogla siç është Përamp në Nevadën jugore. Ky qytet, rreth 100 kilometra në veriperëndim të Las Vegasit, tradicionalisht voton për kandidatët republikanë. Megjithatë, demokratët po e ngushtojnë diferencën nëpërmjet fushatave agresive për regjistrimin e votuesve. Një përpjekje e ngjashme në distriktin Uashu në Nevadën veriore ka bërë që demokratët të gëzojnë shumicën mes votuesve të regjistruar. Vullnetarja Lelar Hillman shkon shtëpi më shtëpi në Përamp, në emër të kandidatit demokrat, Barak Obama. Votuesit i thonë asaj se ata janë të shqetësuar. Nevada ka shkallën më të lartë të humbjes së shtëpive në gjithë Amerikën dhe tregu i shtëpive ka rënë shumë. Kryetarja e Partisë Republikane të Nevadës, Su Loudën, thotë se çështjet kryesore janë ekonomike. “Për shumë njerëz në Nevada gjendja është e vështirë. Ne kemi një industri të madhe turizmi, e cila ka rënë. Tregu i shtëpive në shtetin tonë është një prej të goditurve më rëndë në gjithë vendin”. Njerëzit po u kushtojnë vëmendje kandidatëve presidencialë. Republikanët, që bëjnë fushatë për senatorin Mekein, thonë se ai është më i aftë të përmirësojë ekonominë dhe të luftojë terrorizmin. Ata shpresojnë se zoti Mekein do t’i tërheqë demokratët që mbështetën Hillari Klintonin për në zgjedhjet paraprake. Të dy kandidatët kanë bërë fushatë në Nevada dhe shpresojnë të tërheqin votuesit e rinj. Zyrtarët e fushatave thonë se si vullnetarët, edhe votuesit janë shumë entuziastë, por fushatat për regjistrimin e votuesve janë bërë qendër debatesh në Nevada, ku organizata “ACORN”, grup që mbështet demokratët, akuzohet për falsifikime në regjistrimin e votuesve. Anketimet në këtë vend tregojnë se senatori Obama gëzon një mbështetje prej 2 përqindësh më shumë sesa rivali i tij Mekein. Por një anketë e opinionit tregon se dy kandidatët gëzojnë mbështetje të barabartë dhe se gara po intensifikohet.

Mekein: “Anketat nuk tregojnë realitetin”

Kandidati republikan për president të SHBA-ve, Xhon Mekein, ka hedhur poshtë anketat e opinionit që e tregojnë atë shumë më mbrapa se rivali demokrat, Barak Obama. Mekein është shprehur se diferenca mes tij dhe Obamës po zvogëlohej dhe fushata e tij po ecte mirë në prag të zgjedhjeve të 4 nëntorit. “Ngrihuni dhe luftoni. Amerika është vendi për të cilin ia vlen të luftohet. Asgjë nuk është e pamundur në ketë vend dhe ne nuk do të tërhiqemi. Ne nuk i fshihemi historisë, ne bëjmë histori. Le t’i fitojmë këto zgjedhje dhe ta çojmë vendin përpara”, - tha Mekein në shtetin e Iouas. Senatori demokrat, Obama në Denver të Kolorados, foli para mbi 100 mijë njerëzve. “Nëse ju organizoheni së bashku me mua dhe marshoni, duke trokitur derë më derë, telefononi pa pushim gjatë nëntë ditëve që na kanë mbetur ne nuk do të fitojmë vetëm Denverin, por edhe Koloradon dhe do t’i fitojmë këto zgjedhje. Së bashku do të ndryshojmë vendin dhe botën”, - tha Obama. Anketat e fundit të opinionit në shkallë vendi flasin për një avantazh prej 5 për qind të Obamës ndaj Mekeinit.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›