SHBA, 125 miliardë dollarë për 9 bankat e mëdha
Nëntë banka të mëdha amerikane do të marrin javën e ardhshme injektim të kapitalit prej 125 miliardë dollarësh nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Ndihmëssekretari i Thesarit, Dejvid Nason, u shpreh për mediat amerikane se shuma është gjysma e 250 miliardë dollarëve që do të investohet nga qeveria te bankat si pjesë e planit masiv për shpëtimin e sistemit finansiar. Bankat janë: Citigroup, Banka of America, Goldman Sachs, Morgan Stenley, Wells Fargo, Bank of New York Mellon, State Street dhe Merrill Lynch. Pjesa tjetër e 125 miliardë dollarëve do të shkojë te bankat dhe huadhënësit më të vegjël.
Gjeorgji, Presidenti shkarkon kryeministrin reformator, Gurgenidze
Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, ka shkarkuar nga detyra kryeministrin reformator Lado Gurgenidze dhe ka emëruar në këtë post ambasadorin e Gjeorgjisë në Turqi, Grigol Mgalobishvili. Në një takim me parlamentarët, që u transmetua në televizion, udhëheqësi gjeorgjian tha se zoti Gurgenidze do të drejtojë një komision qeveritar për të mbikëqyrur masat për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Presidenti Sakashvili tha gjithashtu se pret që kryeministri i ri të propozojë disa ndryshime në kabinet. Gurgenidze është 37 vjeç dhe u zgjodh kryeministër nga fundi i vitit të kaluar. Detyra e tij kryesore ishte të tërhiqte investimet e huaja dhe të ruante ritmin energjik të rritjes së ekonomisë. Konflikti pesëditor me Rusinë në gusht uli besimin e investitorëve dhe ngadalësoi ekonominë, që më parë ishte në gjendje shumë të mirë.
FMN-ja ndihmon Ukrainën dhe Hungarinë
Ukraina dhe Hungaria janë vendet më të fundit që do të marrin ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, me qëllim që të përballojnë krizën globale financiare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pranuar në parim që t’i japë hua Ukrainës më shumë se 16 miliardë dollarë, një shumë kjo më e madhe seç pritej. Ekonomia e Ukrainës është vënë nën presion prej rënies së çmimit të çelikut që eksporton dhe nga dobësimi i bankave. Tregjet financiare kanë pësuar humbje gjatë këtij viti dhe monedha vendase është dobësuar. Për këtë arsye u ra dakord huaja nga burimi i fundit për ndihmë, Fondi Monetar Ndërkombëtar me qëllim që vendi të ruajë besimin dhe stabilitetin ekonomik dhe financiar. FMN-ja thotë se fqinja e Ukrainës, Hungaria do të marrë një paketë financimi, hollësitë e së cilës do të bëhen publike në ditët në vazhdim. Islanda ka marrë 2 miliardë dollarë nga FMN-ja, ndërkohë që Fondi është në bisedime me Bjellorusinë dhe Pakistanin.
Siria akuzon SHBA-të për “agresion terrorist”
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Ualid al-Moallem, gjatë një vizite në Londër bëri një deklaratë televizive lidhur me sulmin ushtarak amerikan në një fshat sirian këtë fundjavë. Moallem e quajti këtë sulm “agresion kriminal dhe terrorist”. “Katër helikopterë amerikanë e kaluan kufirin nga Iraku. Tetë kilometra larg kufirit, në Siri ndodhet një fermë. Dy helikopterë ateruan, ndërsa të tjerët i mbronin. Ushtarët dolën nga këto helikopterë dhe filluan të qëllojnë”,- tha shefi i diplomacisë siriane. Ai tha se të gjithë të vrarët ishin civilë dhe u zotua se në qoftë se përsëritet një sulm i tillë në të ardhmen, “ne do t’i mbrojmë territoret tona”. Ushtria e Shteteve të Bashkuara në Irak shpeshherë ka pohuar se luftëtarët e huaj po hyjnë në Irak nga Siria.
Çekët pa viza në SHBA prej 17 nëntorit
Më 17 nëntor Republika e Çekisë do t’i bashkëngjitet programit amerikan për heqjen e vizave. Kryeministri çek, Mirek Topolanek, bëri të ditur datën pas takimit të djeshëm në Pragë me sekretarin për Sigurinë e Brendshme, Majkëll Çertof. Në fillim të këtij muaji, presidenti Xhorxh Bush shpalli se Letonia, Lituania, Estonia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Koreja e Jugut do t’i bashkëngjiten programit, i cili u lejon shtetasve të këtyre vendeve që të udhëtojnë në SHBA pa pasur nevojë që të sigurojnë viza. Aktualisht programi mbulon 27 vende, përfshirë shumicën e Europës Perëndimore.
28 Tetor 2008