Arbëreshët në një ekspozitë
Ajo rrëfen identitetin e një populli mes viteve 1400 deri në vitet 1800, mundëson njohjen dhe thellimin më tej në gjuhën, traditat, zakonet dhe kulturën e një komuniteti të ardhur nga Ballkani drejt Italisë. E pikërisht atyre, arbëreshëve të Italisë, u është kushtuar një ekspozitë e veçantë, e cila është inauguruar para pak ditësh në qendrën e studimeve dhe kërkimeve "Francesco Grisi" në Carosino, Taranto. Titulluar "Arbëreshët. Kultura dhe qytetërimi i një populli. Shënime udhëtimi", ajo do të qëndrojë e hapur deri më 30 tetor. Për të realizuar këtë veprimtari të rëndësishme, organizatorëve u janë dashur vite të tëra studimi jo vetëm drejt komuniteteve që vazhdojnë të flasin gjuhën e arbrit, por edhe te komunitetet që e kanë humbur atë. Carsino, ku është çelur ekspozita, është një vend arbëresh, por që banorët e vendit me kohën e kanë harruar gjuhën. Megjithatë me anë të kësaj ekspozite ku rrëfehet historia, letërsia, arti, muzika dhe tradita e arbëreshëve, ata do të kenë mundësi të njihen më nga afër me kulturën e tyre.