E Shtunë, 31 Tetor 2026

Quo Vadis letërsi shqipe?

Nuk di pse, por një gjë është e sigurt për mua se, sadoherë që dua të shkruaj diçka për letërsinë shqipe, më duket sikur kjo është një shtëpi e vogël, fare e vogël, ende në ndërtim e sipër, pa themele të forta, ku dy shemra përleshen ditë e natë dhe në vend që të duhen e të shkojnë mirë për lumturinë e shtëpisë, kacafyten dhe grihen njëra me tjetrën. Tasi Pika, ndjesë pastë, kritik i kripur, kur donte të përleshej me ndonjë nga ata që merrej me shkrime, a e dini se si vepronte? Lëshonte brezin që kërkonte sherr dhe ai që t‘ia shkelte kishte të bënte me të: i hidhej si kaposh në kokë dhe i binte pa mëshirë derisa të shfryhej më mirë. Këshyu më ka ngjarë dhe mua sot. Dua të shfrehem nga një peshë e rëndë që më ka qëndruar mbi zemër. Kjo peshë ka shumë kohë që më rri atje dhe nuk më lë të qetë.

E kam fjalën për shumë gjëra. Pikë së pari e kam fjalën te varfëria e mëshirshme e letërsisë shqipe. Cila është kjo letërsi shqipe për të cilën është shkruar dhe është bërë një bisedim i gjatë? ekziston me të vërtetë një letërsi shqipe? Kësaj pyetjeje askush nuk është i zot t‘ia mohojë përgjigjen pozitive: do të na thotë se letërsia shqipe si poezi ekziston te Naimi, te Fishta, Çajupi, Asdreni, Mjeda, Prenushi, Noli, Poradeci, Koliqi, Asllani. Vargu i poezisë ndahet pastaj në vargje të tjera, si për shembull kemi poezinë epike që paraqitet në shqip nga Naim Frashëri në veprën "Historia e Skënderbeut", "Qerbelaja"; At Gjergj Fishta këndon trimëritë dhe jetën heroike të maleve të veriut tek vepra "Lahuta e Malësisë"; kemi sonetet epike të Mjedës në volumet "Lissus" dhe "Scodra". Unë e dija poet epik Mjedën dhe i jepja njëfarë rëndësie këtij autori për meritë të kujdesit që tregonte në të hartuarit e soneteve dhe në zellin e merituar të kërkimit të fjalëve dhe të krahasimeve, po ç‘më ndodhi? Një ditë më ra në dorë një libër dhe në "Mbasthanën" e saj këndova për habinë time më të madhe këto fjalë, të cilat po i rreshtoj këtu më poshtë pa hequr dhe pa shtuar as edhe një gërmë. Bëhet fjalë për një libër folklori dhe autori pasi shpjegon rëndësinë e madhe që ka grumbullimi i këngëve dhe i zakoneve tona, pasi tregon bukuritë e hershme të jetës sonë patriarkale, hidhet në një lëmë që s‘e kishte aspak në mendje, që s‘e kishe në mendje ti, por që autori e kishte fare mirë. E fillon pra frazën kështu: "Gjuhën e maleve e çmonte tek s‘ve i paharrueshmi D.Ndre Mjeda. Edhe në pleqni rrekej me njohtë, me mbledhë e me xanë imtimet, shprehet, thanet, ftyrat retorike, aq të përshtatshme dhe të bukura, e fjalët e rralla qi tingëllojnë në gojë të banorit të maleve. Kahë i ndiet kënaqej e i rritej jeta. E pra, D. Ndre Mjeda ishte e asht ma i madhi letrar e poet lirik shqiptar në vështrimin ma të plotin e fjalës, ndera e lumnia e kombit, veprat e të cilit janë pak, por kanë në veti shije klasike të veçueme letërsije së vërtetë: janë "ixhi". Kush e studion thell e don me gjikue me akull të mendes paanësisht e pa smirë "ut locus sit veritati", do të pohojë se Dom Ndre Mjeda rri krah për krah me poetët ma të mdhajt e botës letrare".

Nuk e di se ç‘ndjeni ju kur këndoni diçka të tillë, por mua, pa dashur më shkrepet gazi. Më duket sikur kjo copë është parodi.

...Ju siguroj se si një njeri pa smirë dhe paanësi që këndoj veprat e Mjedës dhe me akull të mendjes, siç doni ju që të jem, nuk arrij kurrë të kuptoj vlerën e lartë që u caktoni ju veprave të autorit të "Scodra-s". Në vend që të mburrem duke menduar se edhe Shqipëria jonë e vogël të ketë fatbardhësinë të ruajë në gjirin e saj të varfër një Himalaja të topografisë letrare, më vjen të qesh kur kërkoni ta krahasoni me gjenitë e panumërt të kësaj bote, emrat e të cilëve nuk ma bën zemra t‘i zë me gojë se më vjen keq për Mjedën dhe për letërsinë time.

Keni dashur ta ngrini në qiell Mjedën. Dhe përse? Ǒnevojë kishte Mjeda për lavdërimin e pakufishëm, për kurorën që keni gërshetuar me çfarëdo lule dhe ia keni plasur mbi kokë? Secili autor, në ka një vlerë, e ka në veprat e tij. Lëvdatat dhe kritikat as e ngrenë dhe as e ulin, Një panegjirik i kotë dhe pa vend nuk është veçse një humbje kohe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›