E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ǒtelash kur ndërhyn politika

Në edicionin e 66-të të Festivalit të Filmit në Venecia u shfaq edhe filmi i shumëpërfolur, i shkruar dhe drejtuar prej Michele Placido-s, me protagonistë aktorët Luca Argentero, Riccardo Scamarcio e Jasmine Trinca. Bëhet fjalë për një film mbi vitin ‘68, i cili është deklaruar autobiografik nga ana e regjisorit, por që i qëndron edhe shumë besnik historisë. Protagonist janë idealet e atij viti: liria, krijimtaria dhe dashuria, e kuptuar si pasion i ri e rrezik gjithashtu. Është aty edhe policia, Lugina Giulia e shumë-shumë të tjera. Edhe pse i vlerësuar prej kritikës ndërkombëtare, filmi megjithatë ka pasur polemika e debate gjatë konferencës për shtyp. Ashtu si çdo gjë që ka të bëjë në një farë mënyre me politikën, edhe "Ëndrra e madhe" ka bërë të shpërthejnë kritika e komente nga ana e së djathtës ekstreme. Por nga ana tjetër kjo edhe pritej dhe Placido e dinte këtë. Por atë që nuk e priste kurrë ishte pyetja e një gazetareje spanjolle, e cila e pyet se përse e ka prodhuar filmin me "Medusa"-n e Berlusconi-t. Sikur kinemaja të ishte një diskutim mes të majtëve dhe të djathtëve, sikur të ishte e vendosur se një film mbi ‘68-ën duhej të prodhohej nga një shtëpi produksioni me ngjyrë të kuqe. Pyetja e ka bërë regjisorin të hidhet përpjetë nga karrigia e sallës së konferencave. I acaruar ai nis të bërtasë, duke bërë të ditur edhe arsyet e tij. Thotë se kërkesën për realizimin e filmit ia ka bërë "Medusa"-s se është një shtëpi filmike e hapur dhe jo Kryeministrit Silvio Berlusconi, që ai jo vetëm që nuk e voton, por edhe nuk e njeh. "Erdha këtu me filmin ‘Ovunque sei‘ dhe më sulmuat sepse e kishte prodhuar ‘Rai‘. Tani vij me ‘Il grande sogno‘ dhe nuk jeni dakord sepse e ka prodhuar Medusa. Me kë duhet t‘i bëjmë filmat ne regjisorët? Mjaft me këto masakra", ka thënë duke bërtitur ai. E pavarësisht të gjithave, filmi i projektuar mbrëmjen e së mërkurës është pritur me duartrokitje të gjata nga ana e publikut në sallë.

Ju keni xhiruar edhe skenën e famshme të Luginës Giulia, në të cilën ndodhi edhe ndërhyrja e Pier Paolo Pasolini-t, sa i përket sjelljes së policëve. Ju, që në atë kohë ishit një polic i ri, si e përjetuat situatën?

Unë kam rrëfyer historinë time, atë të Michele Placido-s, historinë e një vajze, e cila në një farë mënyre mban kujtimin e zotit Pasolini dhe personazhi i Argentero-s, i cili i përket kujtimit të mikut tim torinez. Kështu janë tre histori të vërteta. Sigurisht, nuk mund të ketë edhe mungesa të karakterit politik apo ideologjik, por vizioni është i një polici, ose një djali të ri, i cili vjen nga jugu (i Italisë). Dhe gjendet pikërisht aty çelësi për ata që duan ta kuptojnë këtë histori. Pasolini shkruan letrën mbi këta të rinj. Unë nuk jam dakord me Pasolini-n, sepse ata të rinj ishin mësuesit e mi të parë. Unë dëshiroja të bëhesha aktor. Vija nga një fshat i vogël i jugut, dhe nuk ishim kaq të zhdërvjellët e të përgatitur. Në pjesën e parë në qendër ishin të rinjtë, por në fund të vitit ‘68 unë e gjeta veten në pjesën tjetër të akademisë kombëtare të artit dramatik dhe mbi të gjitha ata të rinj më mësuan ta shikoj botën ndryshe. Atëherë nisi rrugëtimi im si aktor, por edhe si njeri. Pasioni, pjesëmarrja në një ngjarje nuk është çështje ideologjike. Gjithmonë kemi nevojë për diçka. Kjo është domethënia e filmit dhe shpresoj që te të rinjtë të mbërrijë ndonjë mesazh.

‘68-a juaj është më shumë një vizion nostalgjik i lidhur me të shkuarën, apo me këtë film donit të përdornit të shkuarën si një filtër për të tashmen?

Unë mendoj se rezultatet po i arrijmë edhe para se filmi të nisë të shfaqet nëpër kinema. Prej disa ditësh më kërkohet projektimi i filmit edhe në shumë universitete italiane, apo në qarqet e së djathtës ekstreme. Edhe para se të shfaqet për publikun e gjerë, ai po diskutohet sidomos nga të rinjtë, por kur të shohin filmin, do ndihen të rrahurat e zemrës.

Domethënia e filmit qëndron në sekuencën finale të tradhtisë?

Është më shumë kuptimi i ekzistencave që e mbyllin rrugëtimin e atij viti. Unë kam provuar të punoj nëpërmjet asaj që është eksperienca ime teatrore. Nuk ka asnjëherë fitore, por as humbje në rrugëtimet e njerëzve. Po, unë realizoj ëndrrën time, por e di që shumë nga miqtë e mi do të shkojnë në një tjetër drejtim.

A mund të flisni për marrëdhënien tuaj me politikën?

Unë nuk arrij të qëndroj gjithnjë në mes të politikës. Në jetën time private do të dëshiroja të bëja shumë për vendin tim në këtë moment të vështirë, pastaj mendoj që mund të vazhdoj ta bëj vetëm me anë të punës sime. Nuk është e thjeshtë të pozicionohesh. Nëse do të më duhej t‘ia kushtoj sot dikujt filmin, do t‘ia kushtoja drejtorit të gazetës "Avvenire" (e themeluar në vitin 1968). Deklarata ime mund të jetë disi provokuese, por mua më duket një njeri që ruan shpirtin e atij viti.

Cili është përfundimi i filmit?

Nuk është një film mbi Brigadat e Kuqe, ky film është një lloj ditari i mbajtur prej meje, një lloj romani popullor, politik, edhe pse në finale ndihet hija e dikujt që e njeh mirë historinë e Italisë. Gjatë atyre viteve nuk ishte dhuna, por ishte mbi të gjitha energjia e fantazisë, madje edhe kërcehej, e më pas erdhi dhuna. Kur në mëngjes u drejtuan drejt sheshit të Arteve të Bukura, po flitej për një lloj feste. Të rinjtë shkonin të blinin domate dhe vezë për t‘i hedhur më pas. Reagimi i policisë ishte kaq i dhunshëm, sa që nga ai moment ndryshoi edhe sjellja e studentëve italianë kundrejt policisë dhe autoriteteve. Dhe këtu ashpërsia nis të shkojë përpara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›