E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në "Grackën" e Teatrit të Metropolit

Sezoni i ri artistik i Teatrit të Metropolit pritet të sjellë të reja të tjera. Jo vetëm të rriturit, por edhe të vegjlit do të jenë pjesë e skenës së këtij teatri. Fëmijët do të kenë hapësirat e tyre, shfaqjet e tyre në Teatrin e Kukullave të Metropolit

Kështu është menduar që shfaqja e parë të titullohet "Gracka", dhe vjen nën regjinë e Leonard Daliut. Ajo nuk do të jetë një shfaqje me kukulla klasike dhe marioneta, por personazhet do të jenë maskota, ku aktori vishet me pelushin e personazhit. Fabula është marrë nga bota e kafshëve, dhe në qendër janë katër personazhe: lepuri, ujku, ariu dhe dhelpra. Ata do të interpretohen prej aktorëve Albana Sançolli, Sonjela Leço, Petrika Thano dhe Manjola Mertlika. Dhelpra lajkaton lepurushin për t‘i bërë vizitë ujkut, meqë ai është i sëmurë. Kur ujku shkon të ndezë zjarrin, dhelpra gllabëron trutë e lepurushit. Ujku padit dhelprën te gjykatësi i pyllit, ariu. Ajo justifikohet duke thënë se ai lepur nuk kishte tru, ndryshe nuk kishte si të vinte në shtëpinë e ujkut për vizitë. Edhe ariu i jep të drejtë dhelprës. Mesazhi që përcillet për dashamirësit e vegjël të teatrit, është që të mos joshen nga lajkat e të panjohurve për të mos rënë në grackën e keqdashësve. Aktorët kanë nisur provat për realizimin e kësaj shfaqjeje, premiera e së cilës do të jetë në datën 3 tetor, për të vazhduar gjatë gjithë këtij sezoni artistik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›