Rizbulohet Kokona kritik
Kur Vedat Kokona guxoi të hedhë mes rreshtave të gazetës "Tomori" më 1942 artikullin "Quo vadis, letërsi shqipe?", shpërthyen debatet. I kthyer nga Franca, atëherë ishte një i ri 29-vjeçar që spikaste. Një i ri që kultura me të cilën ishte brumosur ia lejonte të shkruante kritikë letrare, të hidhej në polemikë e të shënonte emrin në kolonat publicistike të shtypit të kohës. Përballë mendimeve të tij për letërsinë shqiptare do të vendoseshin figura të tilla si At Zef Valentini, Nikë Barcolla, Dom Nikollë Mazreku, Gjon Karma. Kokonës iu deshën gjashtë numra që ta mbante gjallë argumentin. Shkrime të tjera kritike apo refleksione botoi në shtypin e kohës. Për herë të parë vijnë të përmbledhura në një libër. Titullohet "Quo Vadis letërsi shqipe dhe shkrime të tjera kritike". E bija, Mirvjeni, e cila gëzon të drejtën e botimit, është kujdesur edhe për këtë përmbledhje. I ka shkruar mes viteve 1937-1944. Kokona i ka botuar atëkohë në kolonat e "Drita", "Tomori" dhe "Revista letrare". Jo çdo herë vendoste poshtë tyre emrin e tij të vërtetë. I firmoste me pseudonime të ndryshme: Hekuran Lumi, Davet, Lush Bardhi, Selam Opinga etj. Për shumë kohë kanë mbetur atje. Kur kanë kaluar vite, ka shumë gjasa që ato fletë ku shkruante i riu Kokona të jenë shfletuar veçse nga ndonjë studiues me qëllime të qarta për çka kërkonte. Në një parathënie të shkruar posaçërisht për këtë botim, Aurel Plasari e quan një rizbulim të Vedat Kokonës. "Nëpërmjet këtij botimi zbulohet një faqe e re e bashkëndihmës së Vedat Kokonës në letrat shqipe: ajo e kritikut letrar, madje e polemistit...Në letrat shqipe, që vuajnë ende "mungesën e kritikës së vërtetë" për të cilën brengosej Vedat Kokona në vitet ‘40 të shekullit të kaluar, ribotimi në këtë përmbledhje i teksteve të tij të zgjedhura kritike e polemike - edhe si "degëz e gjymtuar" - është ngjarje riemancipuese. Emancipuese, në e daçin kështu ata që nuk kanë qenë ndonjëherë në dijeni të tyre...", shkruan Plasari duke e quajtur kritikën e Kokonës modeste. Modesti që, sipas tij, rrjedh nga vetë koncepti që ai kishte për letërsinë shqipe, duke u kujdesur ta shohë pa zmadhime a teprime. "Në dialogun mes kritikut dhe lexuesit ai nënlloj i kritikës letrare i quajtur feuilleton kritik, i shërbeu Kokonës si rruga më e drejtpërdrejtë për të promovuar vlerat letrare. Edhe vetëm në tri ciklet e përmendura kjo lloj kritike nuk mund të mos lexohet si akt fisnikërie i kritikut, që aderon në disa vlera të caktuara ose refuzon disa të tjera, të cilat nuk i duken autentike. Por nuk i mungoi bashkëndihmës së tij as nënlloji më në dukje plebe i kritikës letrare: recensioni,-prej tij në këtë përmbledhje lexuesi do të gjejë vetëm dispakshembuj,- që i mungon sot aq ndjeshëm shtypit shqiptar sa të dallohet si unikal vullneti i një të vetmit koleg tonë për ta mbajtur atë në jetë, prej vitesh, diku në një kënd reviste", vazhdon më tej Plasari. Petku modest i kritikut letrar, është një ndër anët e personalitetit të tij. Nga Kokona shohim sot në vitrinat e librarive fjalorët voluminozë shqip-frëngjisht dhe anasjelltas. Të parin e botoi që herët, më 1932. Si njohës i mirë i gjuhëve të huaja: frëngjisht, anglisht, italisht, rusisht, Kokona do të sillte në shqip autorët më të njohur botërorë, mijëra faqe prozë e mijëra vargje poetike. "Ana Karenina" e Leon Tolstoit, "Fundërinat" e Maksim Gorkit, "Saga e Forsajtëve" e Xhon Goll-Suarthit, "David Koperfild" të Dikensit, "Udha e Volokolamskut" e Aleksandër Bekut, "Stuhi në Gang" e Rabindranat Tagores etj. Si prozator tregimtar e më vonë romancier, do të ishin të tjera shpërfaqje të tij. Në vitet ‘60, në periudhën e tretë të krijimtarisë dhe pjekurisë së tij artistike, shkroi dramën "Hijet e natës", poemën e dramatizuar "Lulja e shega" apo romanin triologjik "Me valët e jetës". Qëndrimi neutral që Kokona mbajti ndaj regjimit, nuk e shpërbleu për atë që përfaqësonte. Nderimet do t‘i vinin vite më vonë kur vetë ai po i afrohej fundit natyror të jetës.