“Arbëria- Sefarad. Në pasqyrën e tjetrit”, një seminar ndërkombëtar në Muzeun Kombëtar

Diaspora sefardike në Shqipëri, bashkëjetesa dhe bashkëpunimi
Një seminar ndërkombëtar, nën emrin “Arbëria- Sefarad. Në pasqyrën e tjetrit” është organizuar paraditen e djeshme në ambjente të muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet. Të pranishëm në këtë seminar ishin studiues të fushës, por edhe personalitete të fushave të tjera. Ndërkohë që, po dje me këtë rast, për të parë bashkëjetesën dhe bashkëpunimin e Diasporës sefardike në Shqipëri është çelur edhe një ekspozitë dokumentar, nën titullin “Dëshmitarë të shekullit çifut”, që do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 20 dhjetor. Dhe së fundmi, një nga grupet më të njohur të muzikës sefardite i ka ofruar publikut shqiptar një koncert me tinguj të mrekullueshëm, të djeshëm dhe të sotëm, të cilëve u është bashkangjitur muzika dhe zëri i arbëreshëve, interpretuar nga “Akustrika”.
“Arbëria- Sefarad. Në pasqyrën e tjetrit”
“Legjendat, tregimet e moçme dhe shkrime të autorëve të huaj tregojnë se ilirët dhe hebrenjtë, të vendosur në dy brigjet eë detit Mesdhe, megjithëse i ndante një hapësirë e madhe prej më shumë se 2 mijë kilometarsh, përsëri ata kanë bashkëjetuar dhe kanë shkëmbyer mesazhe miqësie dhe kanë lënë gjurmë të ndërsjellta”- është shprehur në fillim të fjalës së saj, Dr. Eva Hyskaj, historiane.
Më tej ajo vazhdon duke treguar se emigrimet e ndërsjella ilire-hebraike kanë lënë gjurmë të thella tek njëri-tjetri. Kështu në një hartë të vjetër të Izraelit gjenden të fiksuara emra ilirë. Edhe hebrenjtë e lashtë kanë lënë gjurmë në Iliri. Emrat Finiq ose Jerikon nuk janë të rastit. Dijetarët e kohës mendojnë se këto emra përkojnë me emra të lidhur historikisht me Izraelin, për shembull Finiq nga Fonikë e lashtë, Jerikoja me Jerikonë e Biblës, Palasa me Paleëstinën. Si pasojë e shpërnguljes nga zonat e zaptuara nga Perandoria otomane, shumë hebrenj erdhën edhe në trojet arbërore, ku disa prej tyre u vendosën në disa zona, si në malësinë e Beratit, që ndodhi kryesisht gjatë luftës Osmane-Venedikase, ( kjo shpërngulje mbas eka ndodhur në Skraparin e sotëm, pasi në këto zona gjenden dy fshatra me emra që i përkasin kulturës hebraiko-sefaradike. Njëri prej tyre sot quhet Davidh {David}). Rreth fundit të shekullit XV, pas shpërnguljes nga Spanja, hebrenjtë romaniotë erdhën në Arbëri nga Selaniku. Ka të dhëna se qysh në mesjetën e hershme ka patur hebrenj sefaradikë në portin e Durrësit, madje sipas autorit Harvej Sarner thuhet se në dokumentet e gjetura raguziane del qartë se kemi zhvillim tregëtie të kësaj bashkësie. “Ka gjithashtu dokumente që tregojnë se më 24 mars të vitit 1281, venedikasi Nikolai Martini bënte tregëti me dy sefardë nga Durrësi, Leone dhe Karo Karlis. Apo një dokument tjetër që tregon se në gusht të vitit 1366, një hebre sefardik nga Durrësi i shiste kripë një tjetër tregëtari nga raguza. Të gjitha këto janë elemente që tregojnë qartë rolin dhe përfshirjen e kësaj bashkësie dhe integrimin e saj në jetën arbërore, ku kishte të drejta të barabarta me banorët vendas”- vijon shpjegimin e saj Hyskaj. Gjithashtu gjurmët e para të hebrenjve mund të dëshmohen edhe nga trashëgimia arkeologjike. Këtu vlen të përmendet zbulimi i njërit prej monumenteve më të rëndësishëm të peridhës bizantine, që u bë në Sarandë (Onhezmi), në fillim të viteve 1980, dhe me kërkime të mëtejshme u panë gjurmë hebreje në zbulimin e një mozaiku.
Një nga momentet në të cilat historitë tona kryqëzohen gjendet në shekullin XV, kur Alfonsi Zemërgjerë, mbret i Aragonit dhe Napolit dha një mbështetje të madhe ndërkombëtare në rezistencën e heroit kombëtar të Shipërisë, ndaj invazionit otoman. Pikërisht, marrëdhëniet midis Alfonsit Zemërgjerë dhhe Skënderbeut si dhe historitë paralele ndërmjet shqiptarëve të njohur si arbëreshë dhe spanjollëve të fesë çifute, të njohur si sefarditë përbëjnë thelbin tematik rreth të cilit do të zhvillohet seminari i radhës.
Ekspozita dokumentar “Dëshmitarë të shekullit çifut”
Ekspozita dokumentar “Dëshmitarë të shekullit çifut” është inaguruar dje dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 20 dhjetor, në Muzeun Kombëtar të Historisë. Përsa i përket përmbajtjes aty flitet për vitin 1492, ku pas dëbimit nga Spanja, spanjollët e fesë çifute, të njohur si sefardi u vendosën kryesisht në Përandorinë Otomane dhe pjesa më e madhe tyre në Ballkan. “Dëshmitarë të shekullit çifut” mbledh dëshmi të komuniteteve çifute të Bullgarisë, Serbisë, Bosnjës, FYROM, Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë, të cilët në të njëjtën kohë tregojnë për integrimin e tyre në jetën kolektive të popujve ballkanikë dhe për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor të origjinës. Këto dëshmi do të jenë të ekspozuara deri në datë 20 dhjetor.
...