E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie dhënia e kredive nga bankat, shfaqen shenjat e rënies ekonomike

Nga Fitim Zekthi

Kreditë gjatë tremujorit të tretë të këtij viti kanë qenë treguesi i parë se ekonomia është duke u prekur nga problemet financiare që kanë shkaktuar krizë në tregjet botërore të financave. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë me dije se gjatë këtyre muajve sasia e kredive që dhanë bankat ishte rreth 3 miliardë lekë ose mbi 34 milionë më pak sesa kjo sasi ishte gjatë tre muajve të dytë. Saktësisht, gjatë tremujorit të dytë sistemi bankar në vend dha rreth 33,5 miliardë lekë kredi dhe në tremujorin e tretë kjo vlerë ka qenë rreth 30 miliardë lekë. Është hera e parë që prej vitit 2005 që bankat ulin sasinë e kredive që japin gjasë një segmenti kohor krahasuar me segmentin paraardhës. Që prej vjeshtës së vitit 2005 sistemi bankar në vend nisi të japë kredi në sasi të konsiderueshme, të cilat arritën vlera shumë të larta dhe mbi parashikimet, pavarësisht se krahasuar me vendet e rajonit apo me vende të tjera ato ishin ende të ulëta. Kjo trajektore rritëse e kredive ka vazhduar deri në qershor të këtij viti, pasi tremujori i tretë shënoi rënien me 34 milionë dollarë të kredive. Arsyet pse erdhi kjo e rënie e kredive kanë të bëjnë me faktin që bankat kanë shtrënguar kreditë nga frika e rritjes së pamundësisë së subjekteve për t’i shlyer ato. Bankat kanë vepruar kësisoj nisur nga fakti që sistemi botëror financiar ka rënë në krizë. Rënia e kredive në vend duket se do të thellohet dhe kjo do të bëjë që investimet e biznesit të bien, por gjithashtu të bjerë edhe konsumi. Këta dy tregues janë kontribuuesit bazikë në rritjen e ekonomike e kësisoj rritja ekonomike tashmë ka edhe një kërcënim tjetër veç rënies së dërgesave të emigrantëve dhe uljes së eksporteve. Kreditë megjithatë edhe gjatë tremujorit të tretë kanë qenë të shpërndara pak a shumë si edhe në tremujorin e dytë apo më herët. Kështu, në rast se sheh klasifikimin e kredisë, sipas subjektit të kredisë (biznes dhe individë) dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, dallon në tremujorin e tretë të vitit 2008 peshën më të madhe të kredisë për “investime në pasuri të paluajtshme” dhënë individëve, me 23.0 për qind të tepricës totale të kredisë, pasuar nga “investimet në blerje pajisjesh” të bizneseve, me 18.6 për qind të totalit. Ndërsa struktura e kredisë sipas degëve të ekonomisë në shtator 2008 (referuar vetëm klientëve rezidentë), vijon të mbetet pothuaj pa ndryshime të dallueshme. Vlerësojmë se struktura paraqitet përgjithësisht e diversifikuar duke ofruar mundësi për stabilitet të portofolit të kredive nga pikëpamja cilësore dhe kontribut relativisht optimal për zhvillimin e ekonomisë. Megjithëkëtë, veçojmë sektorin e bujqësisë që ende mbetet i nënvlerësuar dhe pa mbështetje nga sektori bankar, ndërkohë që kreditimi i tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë mbetet më i parapëlqyer. Tremujori i tretë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me 4.3 për qind. Ndërsa treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit “kredi me probleme/totali i kredive” u përmirësua, megjithëse në nivele jo të ndjeshme. Ky tregues përllogaritet në nivelin 4.1 për qind nga 4.3 për qind në tremujorin e dytë. Krahasueshmëria e treguesit që mat cilësinë e portofolit të kredive me vendet e rajonit, tregon për një cilësi të portofolit të kredive në sistemin bankar në Shqipëri në nivele relativisht të mira, krahasuar me nivelin e përgjithshëm të këtij treguesi në rajon. Raporti kredi ndaj depozitave, në të gjitha monedhat, për sistemin është rritur me 1.1 pikë përqindje, duke arritur në 54.4 për qind. Ky tregues është në nivel të kënaqshëm, por në rritje graduale gjatë tremujorëve të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›