Sikleti i Flamurit me reformën në shëndetësi
Antena brenda familjes
Kryeministri, Sali Berisha, ka vendosur më në fund që një vit para zgjedhjeve gjithë buxhetin e shëndetësisë t’ia kalojë për menaxhim Elvana Hanës, mbesës së gruas së tij. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga vetë zoti Berisha në fjalimin që mbajti në Kuvend dhe në intervistën në “Opinion”. U pa qartë se e kishte menduar gjatë dhe nuk kishte gjetur asnjë zgjidhje tjetër, veçse t’i dorëzonte 300 milionë dollarë në vit Elvanës. Elvana, e cila ka luftuar tre vjet për këtë reformë, ia ka përcjellë me gëzim lajmin burrit të saj që është pronar i bankës ku do shkojnë paratë. Pastaj vijnë me radhë tenderat e ilaçeve dhe gjithë shërbimet e tjera që tashmë klientët do t’ia blejnë këtij institucioni. E gjithë kjo do zgjasë një vit, pasi Elvana është duke përgatitur me pjesëtarë të tjerë të familjes regjistrimin e një Instituti privat të Sigurimeve Shëndetësore. Më mirë të themi, po përpiqet që SICRED të transformohet nga institucion për sigurimin e jetës në sigurim të shëndetit.
Elvana është pronare dhe aty, dhe te banka ku ka kaluar fondet e shëndetësisë ISKSH.
Por belaja tani e kapi Flamurin, pasi vëllai i tij është drejtor i tenderave tek Elvana. Deri tani që e ka fondin e vogël, ai ishte në rregull. Tani që u rrit pjesa, Flamurin e ka kapur frika mos ia keqpërdorin vëllain dhe e fusin në burg. I shqetësuar për këtë, nuk dinte kujt t’i qahej. Si zakonisht njeriu që i del përpara në këto raste është Jemin Gjana. Jo vetëm që është ministër serioz dhe i pjekur, por e ka dhe nga Kukësi. Zakoni i vetëm i keq i tij është që Flamurin e merr për budalla, dhe tallet. Por Flamuri ia fal këtë pjesë dhe kërkon të zgjidhë hallin e vet.
- Si t’ia bëj me këtë punën e vëllait? - i tha Jeminit. Kam frikë mos ma keqpërdorin.
- Po pse do ta keqpërdorin? - i tha Jemini.
- Po ja, kanë filluar tani të thonë reforma, reforma dhe me këtë rast justifikojnë çdo letër që i vënë para për të firmosur.
- Po mos t’ua firmosë, - i tha Jemini.
- Po është problem, se ato i thonë reforma..., - tha Flamuri. - Po ç’janë mbledhur një tufë grash atje, të gjitha kushërira të para të atij burrit dhe Elvanës.
- Po, po qenka kështu, qenka mirë, - i tha Jemini si më me përvojë në tregimin e barsoletave. Mësoji vëllait atë anekdotën e Spartak Ngjelës. Ai ka pas një vëlla të gjyshit në Gjirokastër që kishte shtëpi publike. Dhe, pasi ikën italianët, i ra puna, se gjirokastritët janë kurnacë dhe nuk shkonin me femra me lekë.
Filloi plaku i shkretë të zbukuronte godinën, të reformonte pamjen, por s’po i ecte. Femrat që kishte në bordello, ishin mësuar me shumë lekë dhe kishin çmim të lartë. Kjo bënte që klientela të shkonte keq e më keq. Atëherë pyeti gjyshin e avokatit, i tha: “Si t’ia bëj, se kjo reforma s’po më ecën, po harxhoj pará kot?”
- Është e thjeshtë, - i tha i vëllai. - Kur do të bësh reformë në bordello, mos ndërro ngjyrat dhe muret, po ndërro kurvat, se ato e kanë fajin.
Kështu bëri dhe ai. I hoqi ato që ishin mësuar me shumë lekë, solli ca më modeste dhe i eci puna.
- Qenka shumë e gjatë, - i tha Flamuri. - E para, unë s’e mbaj mend të gjithën, e dyta, vëllai im s’e tregon dot, se s’përdor fjalë turpi.
- Epo unë them se si shpëton nga burgu, - i tha Jemini, - jo si të shpëtojë nga turpi.