E drejta në Kakome do të fitojë mbi pushtuesit
Ne po na mohohet atdheu.
Për problemin e respektimit të titujve të pronësisë ka bërë thirrje të përsëritura ambasadori i Britanisë së Madhe dhe ambasadori i Francës, kjo është kërkuar nga disa rezoluta të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nga Këshilli i Evropës, por nuk dimë të shpjegojmë, përse kjo përmendet, por nuk është kërkuar në rrugën dhe në mënyrën e duhur për ta zgjidhur problemin nga përfaqësuesit e tyre në Tiranë.
Veç një numri të madh letrash të mëparshme që kanë marrë institucioni i Presidentit, i kryetarit të Kuvendit dhe i Kryeministrit, apelet nga akademikët (që nga viti 1999), si dhe kërkesat nga shoqata kombëtare e të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” për problemin e respektimit të së drejtës së pronës, vetëm në periudhën janar-tetor 2008, ju (të gjithë) keni marrë nga shoqata “Bregdeti” 5 letra, të cilat i kemi botuar gjithashtu në shtypin shqiptar dhe atë të huaj. Ju kemi dërguar gjithashtu dhe Rezolutën e Kuvendit të VIII Mbarëbregdetar për pronat, mbledhje që u organizua me popullin e bregdetit në Himarë, më 10 gusht 2008. Ju rikujtojmë këto letra, ku bëhet fjalë për zbatimin e parimeve bazë të Kushtetutës dhe të çdo shteti demokratik, për faktin se ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje prej jush si drejtues të shtetit shqiptar. Nuk po e kuptojmë mospërgjigjen e asnjërës prej letrave tona, që ju kemi drejtuar gjatë këtyre muajve, duke mos harruar edhe diçka të veçantë, që në maj 2008, letrën tonë e shoqëruam edhe me firmat e 8860 bregdetasve, që më këtë peticion kërkonin kthimin fizik të pronave, pronarëve origjinalë bregdetas. Ju vetë keni miratuar ligjin që detyron brenda muajit që për çdo kërkesë, letër, informacion etj., administrata shtetërore është e detyruar t’i përgjigjet kërkuesit ose shkruesit. Kur këto të drejta elementare demokratike shkelen nga ju, a mund të ankohemi për të tjerët? Përse po e udhëhiqni këtë popull në rrugën e mohimit të titujve të pronësisë? A mund të na përgjigjeni se kujt i intereson mbrojtja e anarkisë së titujve të pronësisë dhe ku do të jetë përfundimi i këtij qëndrimi sa antikushtetues, dhe antidemokratik? Ju keni informacione të bollshme se aktualisht situata në Kakome është ekstremisht e polarizuar.
Çuditërisht edhe në seminarin e “Forumit për Demokraci dhe Etikë” për projektin për administrimin dhe menaxhimin e tokës, që u zhvillua në nëntor 2008 në Tiranë, pala më e interesuar dhe pala më e dëmtuar, që jemi shoqata “Bregdeti” dhe shoqata e të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, nuk ishim të ftuar. Ju, zoti kryeministër, po vraponi të bëni legalizimin e atyre që kanë grabitur, pa përfunduar më parë procesin e kthimit të pronave. Nga ju po shkelet abc-ja e etikës edhe lidhur me respektimin e së drejtës së pronësisë, gjithçka e denoncojmë si demagogji dhe falsitet.
Si mund të flitet për demokraci, kur ju si drejtues të shtetit i konsideroni pronat tona si prona të shtetit? Si ka mundësi të shkelni kaq brutalisht me dhjetëra Vendime Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese që thonë qartë se ne të shpronësuarit nuk i kemi humbur titujt e pronësisë as edhe në kohën e diktaturës, por në atë kohë humbëm të drejtën e posedimit, pasi shteti i diktaturës u bë posedues jo pronar? Sekuestrimi i pronës private njëlloj si në kohën e diktaturës po përsëritet sot në Kakome, ku pa pritur të përfundojë procesi gjyqësor, shohim se si angazhohet Policia e Shtetit dhe civilët e forcave speciale, për t’i bërë presion psikologjik dhe dhunë fizike popullit që kërkon të mbrojë pronat e tij.
Ju që drejtoni Shtetin, e dini më mirë se kushdo se vendimet unifikuese dhe ato të Gjykatës Kushtetuese kanë vlerën e ligjit, po përse i shkelni ju dhe njëkohësisht kërkoni reforma në drejtësi? A nuk duhet që ju të reformoni më parë mentalitetin tuaj? Unë si kryetar i shoqatës “Bregdeti”, që më parë ju kam thënë pronarëve të Bregdetit se qeveria do korrigjojë gabimet e kryera me pronat tona, e kuptoj se padashur i paskam mashtruar. Është përgjegjësi e juaj morale çdo gjë që po ndodh në Kakome, ku populli po vetorganizohet në mënyrë spontane për të mbrojtur “atdheun” e tij, pronën e tij të trashëguar. Populli dhe e drejta në Kakome do të fitojë mbi pushtuesit, mbi grabitësit dhe korrupsionin pushtetar që mbrohet nga heshtja juaj. Ne nuk kuptojmë pse hesht ambasada e SHBA, përfaqësia e KE dhe BE dhe nuk dimë se çfarë t’iu themi pronarëve për sqarimet që iu kemi thënë më parë.
Jemi të deziluzionuar nga heshtja juaj si drejtues të shtetit, i nderuar zoti president, si garant i Kushtetutës, e nderuara zonja kryetare e Kuvendit, që duhet të jeni njëshi i parlamentarizmit demokratik, dhe nga ju, zoti kryeministër, si kryetar i pushtetit ekzekutiv, që me mentalitetin tuaj antipronar po na fusni në vëllavrasje, po e detyroni popullin të kryejë veprime të skajshme për të mbrojtur pronën e tij të trashëguar. Falënderojmë median e shkruar dhe televizive dhe ata analistë e komentatorë të paktë, si p.sh., z. Mero Baze, si dhe Kryesinë e shoqatës kombëtare të të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” që kanë guximin të kritikojë hapur, kur shkelen parimet bazë të demokracisë dhe të mbështesin kërkesat e drejta të popullit.
Letër e hapur drejtuar:
Zotit Bamir Topi,
President i Republikës së Shqipërisë
Zonjës Jozefina Topalli,
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Zotit Sali Berisha,
Kryeministër i Shqipërisë