E Diel, 1 Nëntor 2026

Arbitrariteti i policisë, konstatohen 118 shkelje

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Raporti

Përdorin uniformën për të kryer kontrolle të paligjshme në banesa e për të vënë gjoba në rrugë. “Viktimat” e arbitraritetit të uniformave blu kanë zgjedhur t i drejtohen për ndihmë Avokatit të Popullit. Vetëm gjatë vitit të shkuar në këtë institucion janë depozituar 118 ankesa për veprimtari arbitrare apo të parregullta nga policia. Sipas statistikave, në 21 raste policia ka kryer arrestime, ndalime e shoqërime të paligjshme. Ndërsa në 30 raste të tjera qytetarë të ndryshëm janë ankuar për veprime të tjera arbitrare. Ndërkohë, ekspertë të Avokatit të Popullit kanë kryer inspektime ku kanë konstatuar dhe shkelje të cilat janë raportuar dhe më pas janë bërë dhe rekomandimet përkatëse.
Shkeljet
Shkeljet e policisë në arrestimet dhe shoqërimet e të dyshuarve apo në kontrollet e banesave janë konstatuar kryesisht në kryeqytet. Në listën e ankesave të qytetarëve drejtuar Avokatit të Popullit, një numër të konsiderueshëm përbëjnë dhe ankesat për Policinë Rrugore. Tetë gjoba administrative dhe 30 veprime të tjera arbitrare janë konstatuar nga Avokati i Popullit gjatë vitit të shkuar. Inspektorët kanë gjetur shkelje të të drejtave të njeriut në 39 raste, për të cilat kanë përpiluar raportet përkatëse.
Ankesat
Në adresë të Ministrisë së Brendshme janë regjistruar 14 ankesa. Ish-punonjës të uniformave blu pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga puna dhe për mosdhënie të dokumenteve. Në ankesat e tyre drejtuar Avokatit të Popullit, ish-efektivat blu pretendojnë se u janë shkelur të drejtat ligjore nga eprorët e tyre. Avokati i Popullit ka trajtuar dhe rastet kur individët pretendojnë se janë shkelur të drejtat ligjore e ekonomike të qindra policëve. Sipas tyre, motivacioni dhe shkaqet ligjore të largimit nga puna nuk kanë qenë të bazuara dhe shpesh herë fiktive, si dhe nuk janë zbatuar kriteret ligjore e profesionale për largimin e tyre nga radhët e policisë.

Shkeljet në komisariate
Në dhomat e izolimit të komisariateve mbahen tej afateve persona që janë nën masën e sigurisë arrest në burg. Avokati i Popullit ka konstatuar 19 raste të tilla vetëm në komisariatet e kryeqytetit. Në një raport të këtij institucioni mësohet se në të gjitha rastet gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për të arrestuarit dhe ata nuk janë dërguar në qeli sipas ligjit, por janë mbajtur për një kohë të gjatë të izoluar në komisariate ku i ndaluari mund të qëndrojë deri në momentin që gjykata cakton masën e arrestit. Shkelje të tilla janë konstatuar dhe në komisariatet e disa qyteteve. Në Vlorë janë gjetur në dhomat e izolimit të komisariatit katër persona, për të cilët gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”.

Avokati i Popullit
Burgu i Peqinit del nga lista e zezë

Burgu i sigurisë së lartë në Peqin, i cili ka qenë shpesh herë problem për sa u përket elementëve të ushtrimit të dhunës, tashmë ka dalë nga lista e zezë. Sipas komisionerit të Avokatit të Popullit, Ervin Karamuço, prej kohësh në burgun e Peqinit nuk ka pasur probleme me dhunën, siç ka ndodhur me burgun e Korçës dhe burgun e ri të Fushë-Krujës, të cilët janë kthyer në burgjet më problematike. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në Fushë-Krujë janë konstatuar tri raste të ushtrimit të dhunës kohët e fundit dhe Prokuroria e Krujës është ende duke hetuar për njërin nga rastet. Sipas komisionerit të Avokatit të Popullit, nga viti në vit dhuna ka ardhur duke u zvogëluar. Mësohet se kjo ka ardhur si rezultat pasi gjatë inspektimeve që bëhen në burgje, këshillohen drejtuesit e burgjeve se si duhet të sillen me të dënuarit, pasi dhunë klasifikohet edhe dhuna psikologjike dhe mjedisore që ushtrohet ndaj të dënuarve. Sipas Ervin Karamuços, institucioni i Avokatit të Popullit, përveç inspektimeve të herëpashershme, që bën në vendet e vuajtjes së dënimit për ushtrim dhune, ka vënë dhe një numër falas për të dënuarit ku mund të njoftojnë Avokatin e Popullit, nëse hasin elemente të dhunës, por edhe nëpërmjet një kutie postare që ndodhet në çdo burg, e cila mund të hapet vetëm nga Avokati i Popullit.

Ky lajm është publikuar: 14/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›