E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja skema e re e rimbursimit të aplikimit për kartat e identitetit

Autori i Lajmit: red.
Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, ka deklaruar përmes një konference për shtyp se qeveria ka përfunduar përllogaritjen e plotë të rrogave dhe pensioneve që do të zbatohen prej datës 1 maj. Kryeministri ka theksuar se kategoritë që do të përfitojnë nga kjo rritje janë mësuesit, infermierët, mjekët, kryesisht ato kategori që kanë rroga të ulëta. Berisha ndër të tjera tha se “rroga mesatare e punonjësve të administratës në katër vite rritet me 68%. Dyfishohen rrogat e ulëta, rrogat e mësuesve, rrogat e infermierëve dhe e mjekëve. Ne jemi zotuar se do të ngushtojmë diferencën midis rrogave të ulëta dhe të larta, një premtim ky që ka qenë në programin tonë katër vite më parë. Dyfishohen pensionet në fshat, pra pensionisti që ka marrë 3400 lekë, në datën 1 maj do të marrë 6800 lekë, ndofta, edhe pak më shumë. Pensionet me të ardhura minimale në qytet, aktualisht janë 11000 shkojnë rreth 12800. Me këto rritje, qeveria shqiptare i jep përgjigje mjerimit dhe varfërisë. Nuk do të rriten rrogat më të larta, domethënë rrogat e deputetëve, ministrave, rrogat e zyrtarëve më të lartë. Kjo bëhet sepse ne jemi zotuar të ngushtojmë diferencën midis rrogave të ulëta e të larta, kështu zbret në 1 me 5 diferenca midis rrogës maksimale dhe minimale të administratës publike, raport ky tërësisht perëndimor, ka qënë 1 me 10, katër vite më parë”, - deklaroi Berisha. “Në datën 1 maj dyfishohen pensionet në fshat, pra pensionisti që ka marrë 3400 lekë, nga 1 maji do të marrë 6800 lekë. Rritje të ndjeshme u shkon të gjitha llojeve të pensioneve të tjera”, - tha Kryeministri Berisha, përpara gazetarëve të pranishëm. Berisha nënvizoi se procesi i rritjes së pagave dhe pensioneve është bërë enkas dy muaj përpara zgjedhjeve për të mos i lidhur këto dy procese më njëri–tjetrin. “Kjo rritje nuk ka asnjë qëllim elektoral, sepse po të kishte një të tillë, nuk do ta fshihnim, por ne atyre që shprehen se ka qëllime elektorale u themi se kjo rritje është bërë në vitin 2006, dhe nuk ka qenë elektorale, po ashtu kjo rritje është bërë në vitin 2007-2008. Në të gjitha këto vite opozita e vendit ka votuar kundër në Parlament”, - u shpreh Berisha. Duke sjellë ndërmend kritikat e opozitës, e cila këmbëngul se rritja e rrogave nuk këshillohet nga institucionet ndërkombëtare për shkak të krizës globale, Berisha insiston se qeveria e tij “disponon çdo qindarkë për të përballuar rritjen e rrogave dhe pensioneve”. Duke e konsideruar nismën e qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve si një përgjigje kundër mjerimit dhe varfërisë, Berisha bëri të ditur se, duke filluar nga data 1 maj, do të dyfishohen pensionet në fshat dhe do të rriten të gjitha llojet e pensioneve të tjera. Argumenti i dytë që kryeministri Berisha paraqiti ka qenë publikimi i një skeme të përgatitur nga qeveria për të pajisur me karta identiteti të gjithë personat me ndihmë ekonomike, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë për kartat e identitetit. Berisha bëri të ditur se për të gjithë personat me ndihmë ekonomike, pa përjashtim me të drejtë, qeveria do të japë 10 mijë lekë, ndërsa dy mijë lekë do të paguhen nga vetë ata. “Personat me ndihmë ekonomike do të marrin kuponin, të cilin do ta blejnë komuna dhe në komunë do të dorëzojmë 10 mijë lekë të vjetra, sapo ata të sjellin dokumentacionin përkatës”, - tha Berisha. Për sa i përket komunitetit rom dhe atij egjiptian, kreu i qeverisë ka ripërsëritur vendimin për dhënien e kartave falas për këto kategori. Ndërkohë edhe studentët do të duhet të paguajnë vetëm 2 mijë lekë për kartën në sekretarinë e shkollave, për të shmangur kështu parapagimin. Pensionistëve do t u shtohet 10 mijë lekë në pension, dhe në këtë mënyrë do t u mbeten vetëm dy mijë lekë për të paguar. "Pensionistët me pension minimal, në datën 1 maj përveç rritjes së pensionit, qeveria do të vendosë në pensionet e tyre 10 mijë lekë të vjetra shtesë. Ata do të shtojnë 2 mijë lekë nga vetja e tyre për të marrë kartën”, - bëri të ditur kreu i qeverisë.
Ky lajm është publikuar: 14/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›