E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në burg tre trafikantët, plagosën policët

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg tre trafikantët e drogës që u përleshën me uniformat blu pak ditë më parë në një fshat të Shkodrës. Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “burg pa afat” për shtetasit Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj e Mondi Vuçaj. Të tre të akuzuarit do të hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe do të gjykohen nga një gjykatë për Krimet e Rënda, pasi përveç akuzës së trafikut të lëndëve narkotike ata do të akuzohen për kundërshtim të forcave të policisë dhe vrasje e mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta të personit. Dy punonjës policie janë plagosur gjatë operacionit për ndalimin e tre të kërkuarve për trafik droge. Përleshja mes efektivëve blu dhe trafikantëve të hashashit u zhvilluar si në filmat me aksion. Policët janë pozicionuar për të arrestuar në flagrancë transportuesit e 8 kilogramë hashashi, por të arrestuarit ishin të armatosur. Asnjëri prej tyre nuk ka mundur të përdorë armën, por kanë goditur policët me grushte e gurë. Ndërkohë, persona të tjerë të armatosur kanë qëlluar me breshëri automatiku nga distanca në drejtim të policëve. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk ka kapur efektivët në aksion. Gjithçka ka ndodhur në fshatin Bratosh të Shkodrës mesnatën e së enjtes. Pas përleshjes policia ka vënë në pranga Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj e Mondi Vuçaj. Sabah Vuçaj ishte pikërisht ai që është kapur në flagrancë me lëndën narkotike, e cila pas peshimit rezulton se është rreth 7 kg e 700 gramë si dhe një automatik me dy krëhër me fishekë. Ndërsa armët e kapura shtetasve Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj ishin armë zjarri automatike model 56 me një karikator me 4 fishekë.

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “burg pa afat” për shtetasit Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj e Mondi Vuçaj

Ky lajm është publikuar: 14/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›