E Shtunë, 31 Tetor 2026

I akuzuari për mashtrim padit policinë

Autori i Lajmit: red.
Edhe pse shpesh herë Policia e Shtetit është kritikuar për nxjerrjen e menjëhershme të identitetit të personave të shoqëruar, kjo procedurë ka vazhduar sërish. Një shtetas i cili u cilësua si mashtrues nga policia, ka paditur Policinë e Shtetit për prishje të imazhit. Ajet Ruzi u akuzua për abuzime me pronat me anë të mashtrimit, dhe ky informacion u bë publik nga ana e policisë. Por vendimi i Gjykatës së Kavajës që ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të një të arrestuari i ka nxitur avokatët mbrojtës të akuzojnë tashmë policinë se me publikimin e të dhënave të klientit të tyre, ka shkelur prezumimin e pafajësisë. 63-vjeçari Ajet Elezi nga Durrësi është mbajtur tri ditë në qelitë e paraburgimit pas prangosjes së tij me urdhër ndalimi nga Prokuroria. Ndërkohë njoftimi i policisë është pasuar me komente në media, ku i arrestuari cilësohej si mashtrues. Por menjëherë pasi gjykata ka kërkuar që i pandehuri të lirohet në sallën e gjyqit, duke e cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm, avokati mbrojtës deklaron se do të kërkojë dëmshpërblim për dëmtim të imazhit të klientit. “Kjo po kthehet në praktikë dhe ka mundësi që klienti të bëjë padi për dëm moral”, - u shpreh avokati Përparim Rama. Në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës të dhënat personale të Elezit u shpërndanë për mediat, menjëherë sapo ai u prangos. Në të thuhet se Ajet Ruzi, 63 vjeç lindur në Berat dhe banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim policor pasi dyshohet për mashtrim të kryer në bashkëpunim, dhe se Prokuroria e Kavajës kishte nxjerrë urdhërndalimi për të. Të nesërmen e arrestimit të tij duke iu referuar njoftimit të policisë, shtypi foli për 63-vjeçarin se ishte arrestuar për mashtrim me tokat në Durrës, në një kohë që gjykata gjatë masës së sigurisë e vlerësoi prangosjen të paligjshme.
Ky lajm është publikuar: 14/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›