E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama prezanton programin: 100 masa për qeverisjen

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka bërë dje prezantimin e parë të programit qeverisës të partisë të kryesuar prej tij. Në praninë e të rinjve, Ledi Shamku, Ylli Manjani, Ilir Beqja e Ervin Bushati, ndryshe nga kundërshtari i tij politik, kryeministri, Sali Berisha, Rama nuk është bazuar tek premtimet e mëdha por ka theksuar se problemi më i madh që kanë patur sot shqiptarët kanë qenë programet elektorale. Sipas tij programi i PS-së është një program qeverisës është një plan me 100 masa, ide të reja, vizion të ri, zgjedhje të reja, dhe vullnet të ri për të ndryshuar Shqipërinë. Programi i përbërë nga 1000 faqe, dhe për hartimin e të cilit kanë kontribuar nga ekspertë evropianë dhe amerikanë nga sot do të pasqyrohet për qytetarët. Takimet për prezantimin e tij do të nisin nga Lezha. Rama theksoi se PS do të jetë e gatshme të qeverisë menjëherë pas datës 28 qershor ndërsa theksoi se në bazë të programit do të ngrihet dhe struktura qeverisëse. Shtatë shtyllat e programit janë arsimi, shëndetësia, fshati, mjedisi, turizmi, prodhimi vendas dhe kohezioni social e territorial i vendit. Rama paralajmëron se qeveria e ardhshme do të përballet me krizën ekonomike që ka prekur Shqipërinë dhe që sipas tij, po rëndohet nga mohimi i kryeministrit Berisha. Ndryshe nga programi i cili tashmë është gati dhe nga nesër çdo qytetar mund ta ketë në dispozicion, ende nuk është gati lista e deputetëve socialiste me të cilën kjo parti do të prezantohet në zgjedhjet e 28 qershorit po ashtu dhe marrëveshjet e koalicionit.
Prezantimi
“Qëllimi ynë nuk ka qenë të shkruajmë një program premtimesh për të marrë votat dhe pastaj për të mos pasur një program për të qeverisur. Por, qëllimi ynë ka qenë për të shkruar një program për të qeverisur që ditën e nesërme të marrjes së votave. Sot ne e kemi në dorë këtë program, që do të nxjerrë vendin nga kriza, ku po zhytet përditë, i cili do të mundësojë përparimin ekonomik e social që na duhet për t u bërë pjesë në familjen evropiane dhe për t u integruar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian”, - tha ai. Rama theksoi se ky program është fryt i bisedave, diskutimeve, analizave e debateve me bashkëqytetarët e me ekspertët shqiptarë e të huaj gjatë 18 muajve të “Dialogut me Shqipërinë”. Ai theksoi se Partia Socialiste evropiane, Partia Demokratike italiane, Partia Socialdemokrate gjermane, PASOK-u grek, Partia Socialiste hungareze, Partia Socialiste bullgare, por dhe Fondacionin “Fridrich Ebert”, kanë marrë pjesë në këtë përpjekje të PS-së. “Programi i zbërthyer sipas fushave është rreth 1000 faqe, por në komunikimin me publikun ne do të prezantojmë një sintezë, të fokusuar në 7 drejtimet themelore. Nga ana tjetër, do të ketë një plan prej 100 masash për reformimin e qeverisjes”, - tha ai. Kryesocialisti pohoi më tej se materiali 1000 faqësh është hartuar mbi ide dhe vizion të ri dhe mbi një vullnet për të qeverisur ndryshe Shqipërinë.
Shtyllat kryesore
Në ditët në vijim ne do të kemi kohë dhe hapësirë për të shtjelluar pjesët më të rëndësishme dhe detajet më thelbësore të programit, por sot mund të themi se përmes këtij programi do të vëmë në jetë një politikë të re për arsimin, si garanci për integrim e punësim, një politikë të re për nxitjen e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim por dhe një politikë të re për fshatin, si garanci për sovranitetin ushqimor të vendit e punësim”, - tha ai. Rama theksoi se një tjetër shtyllë e programit qeverisës është shëndeti, si garanci për cilësi jete e aftësi për punë, mjedisi, si garanci për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta e zhvillimin afatgjatë të vendit, turizmi, si garanci për rritjen e të ardhurave e punësimin dhe një politikë të re për kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit. Rama theksoi fort se ky program është instrument pune për qeverinë që do të krijohet pas fitores në 28 qershor. “Që do të thotë se jemi të përgatitur qysh të nesërmen e marrjes së mandatit për të drejtuar vendin, të formojmë një qeveri të strukturuar dhe njëkohësisht të orientuar përmes këtij programi, i cili është një “road map” i mirëfilltë për qeverisë si e tërë dhe për të gjitha ministritë që do ta përbëjnë këtë qeveri”, - deklaroi kryesocialisti. Por ai pohoi se po kaq rëndësi do ti kushtohet dhe krizës ekonomike globale e cila sot është kthyer në “thembrën e Akilit” për Shqipërinë. Ai premtoi se do të merren masa që në momentin e parë të qeverisjes, për krizën por pranoi se do jetë e vështirë për shkak të shpenzimeve pa kriter të qeverisë aktuale.

Listat e deputetëve
“Listat e ekipeve që do të përfaqësojnë PS-në, dhe që do të përbëjnë shumicën e Parlamentit të nesërm, janë lista që sot nuk janë ende në rendin e ditës për mua. Ato do të paraqiten në kohën dhe vendin e duhur, përpara rënies së gongut për fushatën elektorale”

Koalicionet
“Ky është një aspekt i procesit të përgatitjes së fushatës elektorale. Ky aspekt i formalizimit të koalicionit që pas 28 qershorit do të qeverisë Shqipërinë, është pjesë e kalendarit tonë të punës dhe aktivitetit paraelektoral. Formalizimi në kohën e duhur”

Qeveria hije
“Qeveritë hije të Partisë Socialiste, janë pjesë e fantazisë së shitësve të gazetave dhe do të vazhdojnë të mbeten të tilla. Nuk ka asnjë projekt të tillë në Partinë Socialiste dhe as në sirtarin tim”

Programi, 7 shtyllat kryesore
- Një politikë të re për arsimin, si garanci për integrim e punësim.
- Një politikë të re për nxitjen e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim.
- Një politikë të re për fshatin, si garanci për sovranitetin ushqimor të vendit e punësim.
- Një politikë të re për shëndetin, si garanci për cilësi jete e aftësi për punë.
- Një politikë të re për mjedisin, si garanci për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta e zhvillimin afatgjatë të vendit.
- Një politikë të re për turizmin në Shqipëri, si garanci për rritjen e të ardhurave e punësimin.
- Një politikë të re për kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit.

7 shtylla kryesore
1000 faqe program
100 masa për reformimin e qeverisjes
Ky lajm është publikuar: 14/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›