E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ardeno", zjarri shkrumbon gjithçka

Zjarri të djeg, prandaj ne duhet ta parandalojmë atë. Parulla është lëshuar nga një zjarrfikës, i cili po mundohej të shuante edhe atë pak shpuzë djegëse që kishte mbuluar fabrikën e kompanisë "Ardeno", e cila u shkrumbua totalisht dje, si pasojë e një zjarri misterioz që përfshiu kafenenë e fabrikës së përpunimit të drurit. Në orën 03:00, duke u gdhirë dita e premte, zjarrfikësit janë lajmëruar se në autostradën Tiranë-Durrës ka rënë një zjarr gjigand. Ata kanë mbërritur në vendngjarje katër minuta më pas, për shkak të trafikut dhe vështirësive të vendosjes së fabrikës, në kilometrin e gjashtë të autostradës. Gjithsesi koha ka qenë rekord.

Rreziku i gazit

Që në momentet e para, njerëzit dhe makineritë anti-zjarr kanë ndërhyrë me të gjitha mjetet për të shpëtuar mobiliet dhe personat e mundshëm që mund të gjendeshin në brendësi. Por materiali që ndodhej në ndërtesë ka qenë i gjithi i drurët, çka ka mundësuar përhapjen e flakëve në të gjithë godinën trekatëshe. Pasi kanë marrë konfirmimin se brenda fabrikës nuk ndodhej asnjë person, puna e të gjithëve është përqendruar në largimin e një sasie të madhe bombolash gazi në dy firma të ndryshme që ndodheshin tri metra larg vatrës së zjarrit. Paniku ka prekur të gjithë banorët e zonës dhe forcat e policisë kanë larguar në një distancë prej 500 metrash të gjithë njerëzit që ndodheshin te banesat përreth. Gjithashtu, forcat e policisë kanë bllokuar për disa momente edhe qarkullimin tek autostrada Tiranë-Durrës, deri sa janë siguruar se bombolat e gazit nuk përbënin më rrezik. 30 minuta pas shpërthimit të flakëve në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëse nga Durrësi, Kavaja dhe Fushë-Kruja, të cilat kanë "luftuar" me zjarrin, duke larguar çdo rrezik të përhapjes së flakëve në godinat përreth.

Situata e rënduar

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Dilaver Laçi, deklaroi rreth orës 07:00 të ditës së djeshme se forcat zjarrfikëse e gjetën situatën shumë të rënduar, me flakë që arrinin deri në 20 metra. "Për të shuar zjarrin njoftuam dhe sollëm të gjitha zjarrfikëset dhe situata u vu plotësisht nën kontroll pas disa orësh", u shpreh Laçi. Një orë më vonë, drejtori i forcave zjarrfikëse tha se drejtimi i erës fatmirësisht ka qenë në anën e zjarrfikësve, pasi ka bërë që flakët të jenë në krah të kundërt me depozitat e gazit. Flakët kanë rrezikuar disa banesa të zonës, të cilat ndaheshin nga kompania vetëm nga muri ndarës. Policia ka bërë të mundur evakuimin e të gjithë banorëve, ndërsa zjarrfikësit punuan me përgjegjshmërinë maksimale që flakët të mbaheshin të izoluara dhe të mos përhapeshin jashtë ambienteve të kompanisë "Ardeno".

Asfiksimi

Por ajo çka ka "frikësuar" më shumë policinë ishte asfiksimi i banorëve të zonës, për shkak të tymit të madh që kishin lëshuar pajisjet të cilat u dogjën në kompaninë "Ardeno". Policia konfirmoi se shumë banorë pranë kompanisë në flakë mund të ishin në gjumë në momentin kur flakët e fuqishme kanë përfshirë repartin e përpunimit të drurit. Në panik banorët kanë lajmëruar njëri-tjetrin për rrezikun, duke bërë të mundur dhe evakuimin e shpejtë të zonës. Mjaft banorë nuk u larguan nga banesat e tyre, por ndihmuan zjarrfikësit për të shuar flakët. Sipas informacioneve zyrtare, nga përhapja e flakëve nuk pati të lënduar, ndërsa drejtuesit e kompanisë "Ardeno" filluan të bëjnë dhe bilancin e dëmeve materiale, i cili është miliona euro. Një grup hetimor po punon duke mbledhur dëshmi dhe provat, të cilat do të nxjerrin dhe shkakun e flakëve. Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë në katin e tretë të godinës, ku ndodhej edhe kafeneja.

Situata nën kontroll

Rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, kur kishin kaluar plot 7 orë, zjarrfikësit më në fund arritën të shuanin flakët e mëdha. Në këtë kohë u evitua tërësisht rreziku në dy depozitat e gazit që ndodheshin ngjitur me këtë kompani. Forcat zjarrfikëse vazhduan të qëndrojnë në vendngjarje edhe për disa orë, pasi flakët mund të riaktivizohen në lëndën drusore që është djegur. Mendohet se zjarri përfshiu një sipërfaqe prej 3 hektarësh dhe rreth 150 forca zjarrfikëse punuan për shuarjen e zjarrit. Dje pasdite policia e Tiranës përcaktoi zyrtarisht, por pa hequr edhe pistat e tjera hetimore, se dyshohet që vatra e zjarrit, e cila shpërtheu në kompaninë e përpunimit të drurit "Ardeno", ka shpërthyer në lokalin e katit të tretë të godinës së kësaj kompanie. Ekspertët e policisë kanë marrë edhe dëshmitë e personelit, që kanë parë sesi flakët kanë përpirë menjëherë gjithë godinën e fabrikës. Dyshimet e para bien mbi një shkarkesë elektrike që mund të ketë ndodhur.

Precedenti

Vetëm pak ditë më parë, po në autostradën Tiranë-Durrës u dogjën magazinat e kompanisë "Henry shpk". Duke iu referuar këtyre rasteve, prefekti Kuçi tha se kjo është "pjesë e kaosit urban" në të cilën ndodhet kryeqyteti

Zjarret në Shqipëri,

bizneset nuk sigurohen

Bizneset shqiptare nuk sigurohen nga rreziqet që i kërcënojnë, siç ishte rasti i zjarrit që ka përfshirë ditët e fundit disa biznese në kryeqytet. Përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve shpjegojnë se arsyeja kryesore e mossigurimit është mungesa e kulturës te sipërmarrësit vendas. Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, shprehet: "Shumë pak biznese shqiptare janë të siguruara. Në Shqipëri janë gjithsej 50 mijë biznese të regjistruara, nëse të gjitha këto biznese do të ishin të siguruara, tregu i bizneseve do të ishte 10-fishi i asaj që është sot". Krahasuar me vende të tjera të rajonit, Shqipëria paraqitet shumë keq për sa i përket sigurimit të bizneseve dhe qytetarëve. Më tej ai shton se "shqiptarët paguajnë vetëm 10 euro për frymë në vit për sigurime, ndërsa në Maqedoni paguhet 70, në Mal të Zi 120 euro, në Kroaci 350 euro dhe në Slloveni ka shkuar 1200 euro për frymë". Përfaqësuesit e kompanive të sigurimit shpjegojnë që vetëm pasi ndodhin aksidentet, siç janë zjarret apo përmbytjet, bizneset dhe qytetarët kujtohen që të sigurojnë aktivitetin privat apo shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave zyrtare të autoritetit të mbikëqyrjes financiare, sigurimi nga zjarri përbën vetëm 10 për qind të totalit nga primi i sigurimit. Për 9 muajt e parë të këtij viti, sigurimet nga zjarri arritën në vlerën e 4 milionë eurove nga 40 milionë euro që është totali i primeve në tregun e sigurimeve.

Prefekti i Tiranës: Kompanitë nuk

respektojnë parametrat teknikë

Prefekti i Tiranës akuzon kompaninë "Ardeno" për moszbatim të parametrave teknikë në ndërtimin e ambienteve që shfrytëzonte për biznesin e tij. "Jua them me siguri. Nuk janë godina të ndërtuara me leje ndërtimi. Janë pjesë të procesit të legalizimit. Duhet të shikohet seriozisht se çfarë nuk është respektuar nga parametrat teknikë të detyrueshëm për zbatim, siç është krijimi i rrugëve për mjetet zjarrfikëse në raste të tilla", tha në vendngjarje prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›