E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen depozita e solarit, plagoset 21-vjeçari

Shpërthimi i një depozite solari në një baxho fshati ka plagosur një 21-vjeçar dhe ka shkaktuar panik te punonjësit si dhe te banorët e zonës. Ka qenë ora 15:00 e ditës së djeshme, kur punonjëset e një baxhoje në fshatin Gradishtë të komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Lushnjës, pronë e familjes Krasniqi, kanë dëgjuar një shpërthim dhe një tronditje të fuqishme.

Ata kanë dalë menjëherë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Punonjëset kanë qenë të parat që kanë parë gjuhët e flakëve që ishin ngritur disa metra mbi godinën e baxhos dhe tymi kishte nisur të shpërndahej gjithandej. Ndërsa të gjithë ishin në panikun e një shpërthimi të fuqishëm, i vetmi, i cili përveç tronditjes dhe panikut pësoi dhe dëmtime, ishte 21-vjeçari Admir Krasniqi, që në momentin e shpërthimit ndodhej pranë depozitës. 21-vjeçari Krasniqi është djali i pronarit të baxhos dhe është marrë nga të afërmit për t‘u transportuar drejt spitalit të Lushnjës.

Depozita ishte vendosur nga pronari i baxhos në fund të godinës në anën e jashtme të saj, me qëllim evitimin e kontakteve me temperaturat e larta të makinerive. Pikërisht për këtë arsye shpërthimi i saj nuk ka shkaktuar dëme në njerëz, por edhe dëmet materiale kanë qenë të papërfillshme. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të policisë lokale, të cilët kanë nisur hetimin dhe kanë zbuluar se shkaku i zjarrit mund të jetë bërë ndonjë shkëndijë elektrike. Por duke trajtuar të dhënat se solari nuk merr lehtësisht flakë, policia lokale dyshon edhe se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje pronarin, djali i të cilit u plagos nga ky shpërthim. Gjithashtu policia ka pyetur punonjëset e baxhos dhe banorë të zonës. Hetimet do të tregojnë shkakun real, edhe pse versioni paraprak i dalë prej policisë ka qenë zjarri i shkaktuar nga shkëndija elektrike.

Sipas punonjëseve të baxhos, solari përdorej si lëndë djegëse në procesin e zierjes së qumështit përpara përgatitjes për djathë.

Mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike, por edhe kostoja e lartë e kësaj energjie, i kishte detyruar pronarët e baxhos që të përdornin për aktivitetin e tyre privat solarin. Ndërkohë, nga spitali i Lushnjës mëshohet se 21-vjeçari Admir Krasniqi ka pësuar djegie në fytyrë, por nuk ka rrezik për jetën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›