Ardhja dhe ikja me turp e Edvinit në politikën shqiptare
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS në këto ditë të vapës së korrikut tregoi edhe njëhere tjetër se kjo forcë politike është pasardhëse e drejtpërdrejtë e praktikës dhe ideologjisë marksiste-staliniste në tërësinë e përbërjes dhe veprimtarisë anti-kombëtare. Përpjekjet për të goditur Shqipërinë në “thembrën e akilit”në këto ditë vendimtare për të ju bashkuar familjes europiane, “gjoja se qenkan manipuluar zgjedhjet e 28 Qeshorit”, me qëllim zgjatjen e sundimit të Edi Ramës në Partinë Socialiste, përbëjnë një tradhti kombëtare të pashoqe. Sot Shqipëria në NATO dhe e monitoruar nga qindra vëzhgues ndërkombëtarë, mbajti zgjedhjet më të mira dhe transparente në të gjithë kohën postkomuniste të pluralizmit. Angazhimi maksimal i qeverisë për të paraqitur përpara opinionit vendas dhe ndërkombëtar një proces transparent dhe të ndershëm u kundërshtua nga e majta ish-komuniste në opozitë me të gjitha mundësitë e shpifjet e mbrapshta. Në demokraci, çdo betejë elektorale patjetër do të ketë një humbës dhe duhet tejkaluar me tolerancë, çka është elementi më thelbësor i demokracisë, por Partia Socialiste që vjen drejtpërdrejt nga Partia e Punës (komuniste) nuk po mundet të shkëputet nga mentaliteti marksist-leninist se “pushteti buron nga gryka e pushkës dhe mbahet me grykën e pushkës”. Nuk është e rastit, kur në të tilla evenimente të zgjedhjeve në Shqipëri, del në skenë Gramoz Ruçi, ish-Ministri i sigurimit famkeq komunist, si “kalorësi i fytyrës së vrerosur të Serventesit”, për të treguar se PS si pasardhëse e Partisë Komuniste nuk është e mësuar të rrijë pa pushtet. Edhe në rastin e Fierit kur udhëhiqte turma njerëzish që nuk dinin çfarë bënin, Ruçi na kujtonte vitin 1997 edhe tani në konferencën për shtyp Ruçi ishte identik e na kujtonte komunikatat e mbledhjeve të Komitetit Qendror, teksa njoftohej se “grupi puçist ishte shpartalluar dhe shoku Enver - në rastin konkret Edi Rama - kishte fituar”. Në këtë mënyrë angazhimi maksimal i qeverisë Berisha për t’u siguruar shqiptarëve zgjedhjet më të mira, të ndershme dhe transparente, si edhe votuesit shqiptarë që ju përgjigjën këtij angazhimi, u baltosën nga Edi Rama pikërisht në kohën kur ai kuptoi se kishte humbur. Nuk ka asnjë shembull tjetër të ish-vendeve komuniste të Europës Lindore, që forumet e partisë të funksionojnë sipas një censure të bunkerizuar të tipit stalinist si kjo që organizoi Edi Rama afër varrezave të Dëshmorëve në Tiranë. Metodat staliniste të marrjes dhe të mbajtjes së pushtetit me anën e dhunës dhe të violencës për një grup njerëzish apo persona të veçantë, tanimë janë të pamundura. Këto forma vetëm sa zgjatin agoninë e një humbësi me turp. Socialistët e Shqipërisë mbetën të zhgënjyer se ata u fyen dhe u nëpërkëmbën nga punimet e asaj që quhet Asambleja kombëtare, shumica e anëtarëve të së cilës ishin administrata e Bashkisë së Tiranës dhe të zgjedhurit e Edvinit. Mbetën të fyer dhe të turpëruar të gjithë komisionerët e PS në qendrat e numërimit të votave anekënd Shqipërisë, anipse ata ishin formacioni më i besuar i kësaj force politike. Edi Rama pa asnjë ngurrim për të mbajtur peng partinë e tyre, u hodhi atyre njollën e turpit. Mbajtja në fshehtësi e kësaj mbledhjeje tregoi se PS është në ditën e saj më të zezë, një parti e uzurpuar nga një klan mafiozësh me interesa vetjake. Kjo nuk është vetëm fatkeqësia e socialistëve të ndershëm që aspirojnë për një parti socialiste europiane, por kjo është edhe fatkeqësia e të gjithë Shqipërisë që sot pas afro 20 vjet pluralizmi, kjo parti nuk po mundet të ngrihet nga mentaliteti marksist i trashëguar nga Partia Komuniste. Fatkeqësi e PS dhe e së majtës ish-komuniste në përgjithësi janë edhe karrocat e vjetra të ish-Partisë së Punës dhe të ish-Sigurimit komunist si edhe pinjollët e kriminelëve të diktaturës komuniste që janë përzgjedhur nga Edi Rama në elitën e kësaj partie. Se çfarë u tha e se çfarë u bë, socialistët e thjeshtë dhe të ndershëm mëkot mbetën para televizorëve për të mësuar të vertetën. Kryetari i tyre ia ka kaluar edhe Nastradinit për gënjeshtar, ndërkohë ndryshon me Nastradinin se Edi Rama është edhe mashtrues i madh. Gjithkujt mundet t’i kujtohet mënyra tinzare e Edi Ramës për t’u katapultuar në politikën shqiptare. Në fillim artikujt në “Koha jonë”, plot lajka dhe hipokrizi për Fatos Nanon pas vitit 1997, që i shkruante nga një periferi e Parisit ku shërbente në një stallë për ruajtjen e derrave që nga viti 1991. Por një ditë të bukur kur ishte “me thonj të paprerë”, siç do të komentonte më vonë Nanoja, aty në stallën ku po u shërbente derrave, Edi Ramës “i polli mushka”. I mbërriti bileta e prerë e avionit për në Tiranë, ku të nesërmën do të gdhihej në karrikën e Ministrit të Kulturës. Dhe kështu “step by step”, Edi Ramën do ta pushtonte ëndrra fashiste “e marshimit mbi Romë”. Në krye të Bashkisë së Tiranës, me një grykësi luani, ai do të vidhte fondet dhe nëpërmjet aferave korruptive shumë shpejt do të konsiderohej si njeriu më i pasur i Ballkanit. I mësuar nga ideologjia komuniste se “ai që ka pushtetin ekonomik merr edhe pushtetin politik”, Edi Rama nuk u ndal në hajdutërinë e vet, duke grumbulluar rreth vetes njerëz të shumtë të paguar dhe me vese që nuk kishin asgjë kombëtare. Egoizmi i tij tanimë kishte kapërcyer kufijtë e Bashkisë së Tiranës dhe po synonte karriken e Kryeministrit. Pasi e sfidoi Nanon, njeriun që e katapultoi nga stalla e derrave në karriken e ministrit, duke bërë të pamundurën për t’ia sabotuar fushatën elektorale të 2005-s, Edi Rama do të arrinte që brenda një nate të atij viti, të blinte delegateët e Kongresit të PS dhe të zgjidhej të nesërmën Kryetar.
Duke ardhur në fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 Qeshorit, Edi Ramën e kaploi në tërë qënien e tij sëmundja skizofrenike e delirit të madhështisë. Si një gënjeshtar, ai u paraqit përpara shqiptarëve pa asnjë ide konkrete, duke aluduar se kishte një program prej 1000 faqesh që kurrë nuk paska ekzistuar, ku njëqind e një gënjeshtra u bënë mijëra të tilla. Atje vetëm pak më tutje ishte karrikja e Kryeministrit dhe “struci i Bashkisë” nuk po kuptonte se populli nuk është “një kope” si i quajti ai në një miting elektoral të PS, por të dërgonte të pije ujë dhe nuk të jepte asnjë pike. Edi Ramën nuk e ndihmuan as miliona e miliona euro të shpërndara nga sekserët e tij në të katër anët e Shqipërisë duke menduar se “kopeja popull” do të blihej me para. Dhe tani ka mbetur me “duart në brinjë”. Nuk e ngushëllon as shoqëria “e burrecave” dhe as ajri i freskët i Pezës. Ai tani është një humbës me turp dhe po kacavirret si zvarranik duke u kapur pas rrënjëve që tanimë janë shkulur. Ëndrra fashiste e Edvinit “e marshimit mbi Romën”, tanimë ka marrë fund ashtu si ëndrra e gomarit që po e hante ujku dhe shpresonte se ishte në ëndërr. Përpjekjet për të uzurpuar të majtën në Shqipëri dhe duke e tkurrur këtë force politike, duke e përdorur për interesa klanore, është një orvatje e dështuar. Thënë për hir të së vertetës populli shqiptar në zgjedhjet e 28 Qeshorit tregoi një mënçuri të trashëguar në breza. Ai largoi nga politika shumë shushunja të politikës shqiptare më në krye Edi Ramën, ndërkohë që votoi i qetë dhe pa asnjë lloj droje a presioni.
Ky muaj i nxehtë i Gushtit nuk mendoj se do të sjellë ndonjë të re në karrierën e Edi Ramës. Edhe në Bashkinë e Tiranës karrikja ka filluar të rrëshqasë. Grupi i këshilltarëve të PS tani është një minorancë dhe Rama nuk mundet më të numërojë votat nga kolltuku i tij. Ai ka pamjen e një karrocieri të dëshpëruar që karrocën e shkatërruar po e drejton në rrugë e pa rrugë. Të tjerë janë të gatshëm ta rrëzojnë nga karroca, ashtu siç bëri ai pak vite më parë me Fatos Nanon. Mbolli erën dhe po korr furtunën. Është e natyrshme se karriera e një politikani në një kohë do të përfundojë, por vlera qëndron në lavdinë e kohës së tij në shërbim të kombit. Edi Rama po ikën me turp ashtu siç erdhi me turp në politikën shqiptare. Është ky një fund i palavdishëm.
...