Dështimi i paralajmëruar i Ramosajt

Situatën që u krijua këto ditë mund të quajmë një mediokritet Ramosjan, sipas të cilit, Berim Ramosaj është një politikan relativisht mediokër, deputet në një kuvend relativisht mediokër, produkt i një skene politike relativisht mediokre dhe i një mjedisi tejet mediokër
Shumë fyerje e poshtërime i janë përplasur në fytyrë Nexhat Dacit prej Kuvendit të LDK-së, në fund të 2006’ës. Edhe pse ia kishte uruar Fatmir Sejdiut zgjedhjen si kryetar i LDK-së, në fund grupi i tij kishte përfunduar i përndjekur me grushte e shqelma. Disa ditë pas Kuvendit, Daci kishte bërë edhe një përpjekje për ulje të gjakrave kur në një letër dërguar Fatmir Sejdiut ofronte një marrëveshje mes palëve. Përpjekjet e tij nuk i kthenin asgjë më shumë se përbuzje prej LDK-së. Ideja e ribashkimit të grupit të shkëputur të Dacit me LDK-në është e vjetër aq sa edhe ndarja e tyre. Mungesën e krahut të shkëputur, LDK-ja e veneroi vetëm kur më nuk ishte partia e parë.
Krejt kjo tashmë është histori. E cila u riaktualizua këto ditë, kur pluhuri i ngatërresave të moçme u hallakat nga ideja e Berim Ramosajt për ribashkimin e dy partive të ndara, ndonëse nuk solli asgjë tjetër më shumë se pluhur dhe vetmi për Ramosajn. Ideja përfundoi ashtu siç ishte nisur. Në fund, i vetëm, ai iku kokulur nga LDD-ja.
Pse pati një dështim të paralajmëruar projekti i Ramosajt? Së pari, vet startimi i idesë ishte i mbrapshtë. Pa asnjë konsultë paraprake, pa debat dhe pa komunikuar brenda për brenda partisë, Ramosaj kishte zgjedhur që së pari idenë e tij ta gagariste nëpër media. Për gjithë mediat një lajm tej mase i mirëseardhur në këto ditë të nxehta korriku. Marrë parasysh historinë grindavece mes LDK-së dhe LDD-së, mediat ia hapën dyert prezantimit të projektit grandioz. Pati momente kur jo vetëm opinioni, por ndoshta edhe personalisht Ramosaj të ketë besuar në ato që thoshte. Besimi se presioni i opinionit publik në një projekt idilik të stilit “të gjithë jemi vëllezër” do të thyente kryeneçësinë e Dacit, doli i projektuar gabimisht në kokën e Ramosajt. Daci dëshmoi se është ai i moçmi, kredoja e të cilit nuk kapërdinë lehtë ofendimin bizar që i ishte bërë prej puçit partiak të vitit 2006. Ndoshta, edhe nuk bëri keq.
Së dyti, ideja ishte nisur krye në veti, nga njeriu që kurrë nuk është shquar për ndonjë impaktth në skenën tonë politike. Edhe Ramosaj është një gjetje fatkeqe e rastit, ose eksperimentale, si një shumicë dërrmuese që i shohim tek vegjetojnë nën sqetullat e liderëve të tyre. Një përqindje e lartë në përbërjen e parlamentit tonë e dëshmon këtë. Prandaj, potenca e tij politike mbetet e pamjaftueshme për misione kaq të rënda, siç mund të jetë ulja në të njëjtin vend e Nexhat Dacit dhe Fatmir Sejdiut. Së treti, vet largimi dhe heqja dorë nga një ide e tillë me kaq lehtësi, të bëjnë të dyshosh në sinqeritetin e Ramosajt, ose siç mund të pandehet, në qëllimin e tij mbresëlënës për ta defragmentarizuar skenën tonë politike. Zor t’i ketë shkuar mendja deri këtu!
Që në start ai duhet të ketë qenë i vetëdijshëm në parashikueshmërinë e saktë të dështimit të projektit të tij. Kështu, e tëra ngjanë një mise-en-scène të tij për t’u katapultuar brenda ndonjë krahu politik, s’ma merr mendja përtej LDK-së. I vetëm brenda parlamentit tonë është i pashansë. Vetëm se - për dallim nga p.sh, Haki Shatri dhe Blerim Kuqi, të cilët zgjodhën rrugë më fisnike të kalimit në organizata të tjera politike - Ramosaj nuk e pati këtë guxim. I sigurt në refuzimin e partisë së tij, u mundua të mjegullojë gjithçka me projekte bashkimi, sa për t’u larguar në fund kinse i mllefosur. Bashkëngjitja e tij ndonjë partie tjetër mbetet vetëm çështje kohe. Prandaj, reagimet refuzuese të kryesisë së LDD-së dhe vet Nexhat Dacit ishin të justifikueshëm.
Nuk është kurrfarë humbjeje nëse këto dy parti vazhdojnë të ecin secila rrugës së vetë. Edhe pse të dyja insistojnë në trashëgiminë politike të Rugovës, bashkimi i tyre pas thyerjes së madhe ngjan si një pikturë në të cilën janë bashkuar duar, këmbë dhe kokë prej modelesh të ndryshme. Veç e veç ato mund të jenë të pikturuara shkëlqyeshëm, por meqë nuk i takojnë të njëjtit trup, e gjitha ngjan më shumë në një Frankenshtajn, se sa me një njeri. E tillë do të ngjante edhe një organizatë politike me Dacin, Sejdiun, Kryeziun, Gaxherrin e gjithë mishmashin që kanë brenda tyre. Një kreaturë politike, pa të ardhme gjithsesi. Pa insistuar në fuzionimin e tyre, edhe LDD-ja edhe LDK-ja mund të funksionojnë fare mirë, pa pasur nevojë që t’i rikthejnë kujtimet e hidhura që ia sollën njëra tjetrës.
Hiti i Ramosajt mbetet një episod çasti, njëlloj si ato hitet e verës që na mbushin veshët gjithë ditën nëpër plazhe, por të cilat harrohen sapo të largohemi prej tyre.
Sikurse parimi i mediokritetit Kopernikan, që thotë se Toka është një planet relativisht i rëndomtë në një galaktikë relativisht të rëndomtë, edhe situatën që u krijua këto ditë mund të quajmë një mediokritet Ramosjan, sipas të cilit, Berim Ramosaj është një politikan relativisht mediokër, deputet në një kuvend relativisht mediokër, produkt i një skene politike relativisht mediokre dhe i një mjedisi tejet mediokër.
...