E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinakëritë e fundit të misionarit të dështuar

“Pendesa është varka që nuk mbytet kurrë” - Hygó -

Nuk ka njerí të pagabueshëm. Të mos e pranosh gabimin, rëndon më shumë veten. Ka mëkatarë që, duke u penduar, janë bërë njerëz të shquar. Askujt s’i mbyllet rruga e shfajësimit, përtëritjes, fisnikërimit. Shumë njerëz vuajnë nga sedra formale, mania për t’u dukur, nga delire madhështie dhe dashurí të çmendur për veten. Ka ambiciozë, që nuk shmangen dot pasionit të egër për pushtet. Një i ditur ka thënë: “Kush mund veten, fiton botën”. Mospranimi i fajit e poshtëron më keq mëkatarin. Sinqeriteti është si mirësjellja, që, koston pak, por çmohet shumë. Kushdo që ka kërkuar ndjesë, përgjithësisht sovrani e ka falur. Kurse fshehja e fajit mbart rreziqe për shoqërínë. Nuk mund t’i besohet Edvin Ramës, kur, për të fshehur fajin e vet, akuzon fitimtarin si shkaktar të prishjes së qëllimshme të standarteve zgjedhore. Shpifja e tij i kalon kufijtë e absurdit, kur e hedh akuzën mbi atë që çmoi standartet më fort se vetë fitoren. Larot e Ramës nuk po lënë portë pa trokitur për t’u ankuar se fitimtari, nëpërmjet vjedhjes së votës, i paska lënë me gisht në gojë. Logjika e karrieristit të sëmurë qënka e çuditshme. Dihet që delirantët janë dhe paradoksalë. Që ata kërkojnë të bjerë shí vetëm në arën e tyre. Që vetëm kur fitojnë ata, plotësohen të gjitha kushtet. Përkushtimi i tyre ndaj sovranit nuk i kalon caqet e lakmisë së tyre për pushtet. Ata i bëjnë sovranit “gropën”, duke i qarë hallin. Enver Hoxha i puthte në buzë ata, për të cilët kish urdhëruar t’i pushkatonin. Vetëm kur iu mblodh litari, Rama thirri Asamblenë Kombëtare. Dhe, të mos zemëronte sovranin, i mohoi zgjedhjet duke kërkuar të zhvillohen të tjera, të parakohshme. Me Rezolutën ai e mbajti partinë përsërí si një gardë pretoriane, që t’i mbrojë pasuritë e dyshimta dhe pushtetin e pamerituar. Veçse nuk doli hapur. Nuk deklaroi braktisjen e Kuvendit. Nuk mohoi dhënien e dorëheqjes. Anarkisti liberal doli një despot i rafinuar. Në Rezolutë bëri sikur “qau” për shansin e humbur të arritjes së standarteve, pa lënë të dyshohej se oratori po prishte vetë imazhin e tyre me shpifjet që po sajonte. Por, që të shmangte ndonjë “përplasje” të mundshme, Dhelpra s’i la “pulat” të kakarisnin me alarm. Dhe nuk i futi në kotec të hapur, por në bunker të mbyllur. Njëlloj si ta kishte partinë një grigjë dhensh të qethura. Por toni i qetë i fjalimeve kënaqi dhe kundërshtarët, edhe pse këta e shihnin që uji po shkonte në mullirin e Ramës. Të gjitha ankesat nastradíni i fashiti me lënien hapur të disa obsioneve. Asnjë kundërvënie ndaj mendimit ndryshe. Shkëlqeu një tolerancë hipokrite brenda një atmosfere të nderë. Rama po zbatonte këshillën e lashtë sa bota :”Mishi të piqet, helli të mos digjet!”. Askush nuk dëgjoi në Asamble një analizë, apo pranim faji për humbjen e zgjedhjeve. Asnjërit s’iu la mundësia të ankohej për mungesë transparence. Ishte vërtet një mbledhje staliniane! Frika u fsheh prapa një qetësie false. Prapa fjalimeve konstruktive dhe gëzimit për solidaritetin e shtirë. Zakon i lashtë i komunistëve.  Rama u shfaq mjeshtër i mposhtjes së atyre që e kundërshtonin. Ndërsa Asamblenë e mbylli, pra, në “bunker”, zhvilloi një kuvend, që e dëgjuan me vëmendje edhe “ujqit” e vjetër të politikës. Ky kontrast i qëllimshëm la përshtypjen sikur Rama mund të jepte dhe dorëheqje. Mund të bënte kompromise. Mund të mbetej misionar. Mund të zbulohej mungesa e ambicies së tij për karrierë politike. Mund të mos kandidonte Por jo! Për këtë asgjë e qartë. Gjithçka nën zë. Se tërë kjo maskaradë qe një taktikë. Mashtruesi doli engjëll mbrojtës i statutit, madje, paqësor deri në mallëngjim, kur lejoi dhe “grupin armiqësor” të fliste si të donte. Të gjithë u prekën nga taktika e këtij gojtari sharlatan, që akuzohet si i paaftë. Kurse të gjithë sekserët e tij qenë gati ta ngrinin në krahë, kur liberali lejoi të hynin si grup në Parlament. Enver Hoxha e zotëronte bukur artin e shitjes shtrenjtë të një buzëqeshjeje. Nuk ka fuqi më çudibërëse se terrori i padukshëm. Diktatorët e shpien luftën në prag të shpërthimit, me qëllim që, kur të mos e shpallin, të kërkojnë lëshime. Rama tentoi t’i kënaqte të gjithë me lugën bosh. Ai u la kështu kohë sejmenëve të vet të mendohen për detyrimet ndaj tij. Denoncoi standartin, legjitimitetin e cunguar të institucioneve të dala nga zgjedhjet, duke u shtirë sikur i therrte në shpirt fati i nëpërkëmbur i vullnetit të sovranit. Bëri tentativa për të shpërndarë përgjegjësínë e humbjes, por duke u lënë përshtypjen anëtarëve të Kryesisë dhe deputetëve se, gjoja, i çmonte si të pazevendësueshëm. Njëlloj si “qoftëlargu”, që i pushkatoi anëtarët e Byrosë, duke i kultivuar secilit ndjenjën se, gjoja, pa secilin prej tyre ai nuk do mundej ta drejtonte partinë. Dhe, kur ata nuhatnin kërcënimin e heshtur, besonin se për vete, pranë xhelatit, kishin imunitet të plotë. Dhe Enver dinaku i shihte pastaj në kaseta, kur hetuesit, e porositur prej tij, u shkulnin shokëve të tij të luftës dhëmbët. Megjithatë, Rama e kupton që dhe “armiqtë e tij” nuk e hanë thatë. Që ata ia kanë nuhatur dinakërínë, pavarësisht se për një çast u dukën të kënaqur. Se, qysh pas mbledhjes ata deklaruan që Rama, me thirrjen e Kongresit, vetiu paskësh pranuar në heshtje mbarimin e mandatit të vet si kryetar. Nga ana tjetër, duke shtruar problemin e statutit, Rama nuk menduakësh për kandidimin e vetes. Gjithkujt atëherë iu kujtua anekdota e Qoses, që, kur i thanë se gomari i mikut, që po linte kaq gjatë pa ngrënë, mund të ngordhte, gjegji :”Pas një muaji, o gomari, o i zoti...”. Rezoluta e Ramës u lavdërua edhe nga ata, që në thelb nuk ishin dakord me frymën e saj. Por ky është arti i mashtrimit. I dinakërísë së atij, që e ka litarin në fyt. Rama i ka bërë mirë llogaritë. Ai e mbajti kështu përsërí peng partinë. Dhe ajo ngeli rishtas “garda e tij pretoriane”, që do ta mbrojë si me akuza të vazhdueshme, me shpifje, me protesta të fuqishme paqësore, e tj. Asnjëherë Rama nuk e ka dëmtuar elektoratin shqiptar, sa me këtë klithmë keqardhëse, që lëshoi me Rezolutën , ku vuri kujen për humbjen e shansit për arritjen e standarteve.(!) Por Rama e la të kuptohej qartë se sovrani, ose e pati vetë fajin që votoi për të djathtën, ose duhet të mbështesë ndërtuesit e tij, me qëllim që, gjoja, të vërë në vend dinjitetin e vullnetit të tij, të shprehur me votë. Kështu dinaku Ramë doli pa u lagur, bilé, dhe me imazhin e një burri shteti, që i ardhkësh shumë keq për vonimin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Veçse Rama përsëri ka frikë e dridhet si lepuri në ferrë, duke pritur me ankth    përfundimet e vërrejtjeve të miqve ndërkombëtarë, të cilët nuk emocionohen kollaj nga taktikat e të pikëlluarve prej hunbjes së zgjedhjeve. Ramës mund t’i kujtohet edhe sentenca e poetit latin, Ovidi se: “Një çështje e keqe bëhet edhe më e keqe, po të mbrohet”. Dhe Rama po i shëmbëllen taní asaj dhelprës, që ia hidhte fajin çarkut, jo vetes. Askush nuk doli më i dëmtuar nga Rezoluta e Ramës sesa vetë Sovrani. Por me sovranin është mirë të mos bëhen shakara të tilla! Se vjen shpejt dita, kur ai të jep përsërí ujë me shoshë!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›