Miqtë e Shqipërisë, veto në BE, nëse shtyhet kërkesa për anëtarësim

Ministri i Jashtëm i Austrisë ka deklaruar dje se e kushtëzonte vazhdimin e negociatave të Brukselit me Islandën, parashikuar për në vjeshtë, nëse kërkesa bashkohet me aplikimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë. Edhe Italia, Suedia dhe Franca kanë përsëritur të njëjtat qendrime, duke e shndërruar në fakt të kryer, marrjen e statusit-kandidat të Shqipërisë, shtatorin e këtij viti
Austria ka paralajmëruar se do të kushtëzojë negociatat mbi kërkesën e pranimit të Islandës në Bashkimin Evropian me diskutimin mbi të njëjtën çështje për Shqipërinë dhe Kroacinë.
Ky qëndrim i Austrisë është bërë i ditur nga Ministri Federal i Punëve të Jashtme të Austrisë Dr. Michael Spindelegger. “Çelja e negociatave mbi kërkesën e Islandës për t’u anëtarësuar në BE duhet të përfshijë detyrimisht edhe kërkesën e Kroacisë dhe Shqipërisë”, është shprehur Dr. Michael Spindelegger. Deklarata ka pasur jo pak jehonë në shtypin austriak.
Shtypi austriak, Televizioni Publik Austriak ORF, Agjencia Austriake e Lajmeve APA si dhe media austriake gazetat "Die Presse", "Heute" etj, kanë komentuar gjatë dy ditëve të fundit këtë deklaratë zyrtare të Ministrit Sindelegger lidhur me preferencën e politikës së jashtme austriake kundrejt BE-së, për përfshirjen sa më shpejt, mundësisht në negociatat e afërme të anëtarësimit me Islandën, edhe Kroacinë dhe Shqipërinë.
Kushti që duket se përbën politikën e jashtme të Austrisë mbi çështje të integrimit. Dr. Spindelegger ka thënë prerë se këto tre vende Islanda, Shqipëria e Kroacia duhet të përfshihen sa më shpejt, mundësisht në negociatat e afërme të anëtarësimit me unionin. “Ministri Federal i Punëve të Jashtme të Austrisë Dr. Michael Spindelegger është shprehur gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në Vjene, se negociatat e Bashkimit Evropian me Islandën në lidhje me kërkesën e kësaj të fundit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të zhvillohen vetëm me kushtin, që në këto negociata mbi kërkesën e pranimit në Bashkimin Evropian së bashku me Islandën të përfshihet edhe Kroacia me Shqipërinë”, shkruante gazeta austriake "Heute", e datës 28 korrik 2009: Një tjetër deklarim i rëndësishëm politik mbi këtë çështje ka ardhur së fundmi dhe nga ministri i Jashtëm italian Franco Frattini. Kryediplomati italian tha se BE duhet të shprehet qartë dhe me afate të sigurta se kur do të integrojë vendet e Ballkanit perëndimor brenda gjirit të saj. Shqipëria dorëzoi në Pragë në 29 maj gjatë aplikimin për statusin e vendit kandidat. Shqyrtimin e kërkesës zyrtarët e lartë e kanë lidhur me përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, një proces që do ta marrë në dorë presidenca aktuale e unionit, Suedia.
Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të mbledhur në Bruksel, deklaruan se në muajin shtator, do të shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë, për statusin e vendit kandidat.
Presidenca suedeze e BE, nëpërmjet ministrit të Jashtëm Carl Bildt, u shpreh se BE nuk duhet të harrojë Shqipërinë, pasi në të kundërt rrezikon të humbasë besueshmërinë në rajon dhe rrezikon qëndrueshmërinë politike.
Qëndrim “pro” anëtarësimit të Shqipërisë, e shprehu edhe Franca, e cila kërkon respektimin e rendit të kërkesave për anëtarësim, duke mënjanuar kështu pretendimet e Islandës, për nj aderim më të shpejtë.
Kësisoj, krahas Francës, edhe Austria vendos veton dhe i kërkon Brukselit të shuajë njëanshmërinë dhe në procesin e negociatave të Islandës të përfshihet edhe Shqipëria me Kroacinë. Kancelaritë perëndimore, dhanë gjithashtu garanci për liberalizmin e shpejtë të vizave të Shqipërisë me BE.
...