Prokuroria e Përgjithshme shpall katër vende vakante për prokurorë
Laureta Rryçi
Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme ka shpallur katër vende vakante për prokuror në disa institucione të akuzës. Burime pranë këtij institucioni pohuan dje për gazetën “Albania” se vendet e lira janë në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë e Apelit të Tiranës si dhe në Prokurorinë e Kukësit. Po kështu një vend vakant është hapur edhe në pozicionin specialist i studimit dhe
bibliografisë në Drejtorinë e Studimeve, Kërkimeve Ligjore dhe Integrimit në Prokurorinë e Përgjithshme Tiranë. Po kështu bashkë me vendet vakante janë përcaktuar dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që aspirojnë për këto vende si dhe dokumentacionin e nevojshëm.
Prokurorët
Prokurorët që aspirojnë për një post në Prokurorinë e Përgjithshme tashmë i kanë të gjitha mundësitë për të konkurruar. Zyrtarisht institucioni kryesor i akuzës në vend, ka shpallur dy vende bosh. Burime pranë këtij institucioni shpjeguan se vendet vakante janë shpallur në Prokurorinë e Përgjithshme Tiranë, dy vende të lira. Prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë, një vend i lirë si dhe për pozicionin Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, një vend i lirë. Sipas njoftimit të prokurorisë, kandidatët që do konkurrojnë për prokuror, duhet të paraqesin një sërë dokumentesh. Kandidatët duhet të përgatisin një kërkesë me shkrim, kopjen e diplomës dhe listën e notave të noterizuar, Curriculum vitae, dëshmi për mbrojtje gjuhe të huaj, dëshmi ose certifikatë për kualifikime, mendimi i Drejtuesit të Prokurorisë se Rrethit, kur kandidati është prokuror, vlerësimin e punës nga institucioni ku punon, kur kandidati është në marrëdhënie pune në institucione të tjera si dhe së fundmi vërtetim për shkaqet e largimit nga puna, kur kandidati që konkurron është larguar nga detyra. Dokumentacioni duhet të paraqitet pranë Zyrës të Prokurorit të Përgjithshëm, brenda 15 ditëve.
Specialist
Prokuroria e Përgjithshme ka shpallur gjithashtu konkurrimin për 1 (një) vend të lirë, në pozicionin specialist i studimit dhe
bibliografisë në Drejtorinë e Studimeve, Kërkimeve Ligjore dhe Integrimit në Prokurorinë e Përgjithshme Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar kandidati duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme për pranimin në Shërbimin Civil në përputhje me nenin 12 të ligjit “Statusi i nëpunësit civil“. Më konkretisht kandidatët duhet të kenë mbaruar arsimin e lartë për Gjuhë-Letërsi. Të ketë eksperiencë në punë jo më pak se 4 vjet në administratën publike.
Të ketë njohuri në gjuhën angleze ose një gjuhë tjetër e BE-së.
Të përdorë programet bazë të punës në kompjuter. Të ketë aftësi të mira komunikimi dhe të punës në grup. Paga e pozicionit është në kategorinë III-b. Kandidati duhet të paraqesë brenda një muaji nga shpallja e këtij njoftimi, pranë Drejtorisë së Inspektim dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Përgjithshme dokumentet e nevojshme. Në listën e dokumentacionit janë përfshirë kërkesa për aplikim, CV-në, fotokopje të diplomës dhe librezën e notave, librezën e punës, certifikata kualifikimi, dëshmive të gjuhëve të huaja dhe kompjuterit, të paktën një letër rekomandimi, një numër telefoni për të kontaktuar si dhe adresën e plotë të vendqëndrimit. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve sjell skualifikim të kandidatit.
1 Gusht 2008