Përfundon aplikimi për në shkollën e policisë
Tiranë – Ka përfunduar procesi i aplikimit për të ndjekur studimet për “Patrullën e Përgjithshme” pranë Akademisë së Policisë, proces i cili kishte filluar më 17 korrik. Gjatë këtij procesi, u regjistruan gjithsej 1.241 Kandidatë që do t’i nënshtrohen testimit me shkrim me datë 8 gusht, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në Tiranë. Pas kësaj kandidatët duhet të paraqiten në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, ku kanë bërë regjistrimin për të marrë Kodin e Aplikimit, i cili do të përdoret si numër identifikimi gjatë procesit të konkurrimit. Listat me kodin e aplikimit do të afishohen pranë të gjitha drejtorive të policisë. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 dhe duhet të kenë me vete fletën e pranimit në testin me shkrim, dokument i cili u është dhënë secilit prej tyre nga zyrat e personelit të Drejtorive të Policisë në Qarqe. Përcaktimi i kandidatëve fitues do të bëhet brenda ditës në prezencë të kandidatëve. Korrigjimi i testit do të realizohet me skaner. Kujtojmë dhe një herë që 5 kandidatët fitues të testit me shkrim të zhvilluar në datën 10 korrik 2008 nuk do ti nënshtrohen këtij testimi, pasi janë të kualifikuar. Këto kandidatë do të paraqiten në fazat e tjera të konkurrimit. Këto 5 kandidatë do t’i nënshtrohen testimit me shkrim vetëm nëse ato vetë janë të interesuar të përmirësojnë rezultatin e pikëve me shkrim të arritur me datë 10 korrik.
Itali, nëna thikë vajzës 21 –vjeçare
PORDENONE- Një grua shqiptare nënë e 4 fëmijëve ka qëlluar me thikë vajzën e saj. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Friuli të Italisë. 21 vjeçarja Xhoana Picari është dërguar menjëherë në spitalin e Pordenones ku dhe gjatë natës i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekëve goditjet me thika i kanë dëmtuar mushkërinë. Ndërsa e ëma Fitnete Picari, 40 vjeçe është arrestuar me akuzën për tentativë vrasjeje dhe është transferuar në burgun e Triestes. Sipas policisë, shqiptarja 40 vjeçare e cila banonte në Itali me 4 fëmijët e saj, mes të cilëve dhe një fëmijë 4 vjeç, vuante nga një krizë të rëndë depresive dhe ishte nën kujdesin e shërbimeve sociale italiane. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
1 Gusht 2008