Nxehtë në Ferizaj
Pretendentin kryesor për titull të kampionit, Prishtinën, të dielën e pret një sfidë jashtëzakonisht e vështirë, pasi do të jetë mysafire e Ferizajt, në derbin e xhiros së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Badhekaltërve patjetër u duhet fitorja ndaj ferizajasve për t’u rikthyer në pozitën e parë, pasi aktualisht, me një ndeshje më shumë të zhvilluar, Hysi është lider i Superligës pas fitores që e shënoi të shtunën ndaj KEK-ut.
Andaj kryeqytetasve u nevojiten tri pikë të plota për të ecur më sigurt drejt titullit të kampionit, sepse pozitën e parë të tyre në renditje vazhdimisht po ua cenon Hysi, i cili me të gjitha forcat po e ndjek të njëjtin trofe.
Pra, për prishtinasit nuk do të ishte i favorshëm as barazimi në duel me ferizajasit, derisa humbja eventuale do të mund t’u kushtonte shtrenjtë.
Mirëpo, kryeqytetasit nuk do ta kenë aspak të lehtë t’i fitojnë tri pikë të plota, ndonëse përballë do ta kenë skuadrën e fundit të tabelës, Ferizajn, e cila, megjithatë, ende ka gjasa për të mbijetuar në Superligë.
Bardhekaltrit nga Ferizaj kërcënojnë Prishtinën, ndaj të cilës thonë se do ta kërkojnë me ngulm fitoren, e cila do t’ua rriste shumë gjasat për të mbijetuar në Superligë.
“Na vjen Prishtina me vlerat e saj dhe e respektojmë këtë skuadër. Ne duam të mbijetojmë në Superligë, sepse e meritojmë me këtë lojë që po e bëjmë. Andaj ne synojmë fitore dhe për ta arrit këtë objektiv, e ftoj tifozerinë e Ferizajt të na përkrahë fuqishëm. Ferizaj edhe në të kaluarën ka ndikuar në ngritjen e atraktivitetit në kampionat dhe këtë duam ta bëjmë sërish”, u shpreh kryetrajneri i Ferizajt, Agron Selmani.
Në anën tjetër, edhe Prishtina është e vetëdijshme se do ta ketë shumë të vështirë ta thyejë Ferizajn para shikuesve të vet. Megjithatë, kryeqytetasit besojnë se do t’i fitojnë tri pikë të plota nga kjo përballje.
“Edhe neve, por edhe Ferizajt na nevojitet tepër shumë fitorja. E dimë që Ferizaj është në pozitë të vështirë, andaj na pret punë e madhe. Kështu e ka futbolli. Ne shkojmë në Ferizaj për fitore. Vetëm fitorja na kryen punë, sepse Hysin e kemi shumë afër”, deklaroi për Express sulmuesi i Prishtinës, Astrit Fazliu, i cili më parë i mbronte ngjyrat e Ferizajt.
Nëse Prishtina ‘kikson’ eventualisht në duel me Ferizajn, atëherë ky fund i kampionati do të bëhet shumë dramatik, sikurse në luftën e skuadrave që po luftojnë për titull të kampionit, ashtu edhe në betejën e shumë ekipeve që po mundohen të mbijetojnë.
Ndeshje e tillë interesante për mbijetesë do të zhvillohet në Rahovec mes Ballkanit e Flamurtarit, mjaft të rrezikuar. Duel interesant do të jetë edhe ai që zhvillohet në Gjakovë mes Vëllaznimit e Drenicës.
Superliga – xhiroja e 28-të
E diel
Trepça – Besa
Ballkani – Flamurtari
Vëllaznimi – Drenica
Ferizaj – Prishtina
Të gjitha ndeshjet zhvillohen prej orës 16:00