E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardian Cuculi në bisedime me Shkëndijën?

Nga Vullnet DAUTI
Tetovë- Futbollisti kërcovar i skuadrës së Vëllazërimit, Ardian Cuculi, është emri më i lakuar tek ekipet në vend dhe në kampionatin shqiptar. Mbrojtësi kërcovar ka mundësi të kalojë edhe në skuadrën e Shkëndijës, pasi në fillim drejtuesit tetovar patën shprehur interesimin për ta pasur në radhët e tyre. Në lokalet e Shkëndijës të mërkurën është dashur të paraqitet futbollisti Cuculi për të biseduar me drejtuesit e skuadrës, por i njëjti nuk është paraqitur. Burime të gazetës "Koha", bëjnë të ditur se takime me drejtuesit e Shkëndijës do të ketë shumë shpejt dhe se ai është afër arritjes së marrëveshjes. Drejtori sportiv i K.F. "Shkëndija‘79", Qatip Osmani lidhur me kalimin e Cuculit te Shkëndija tha se gjithcka ka mbetur e hapur dhe në ditët në vazhdim do të vendoset ardhja e tij në kampin kuqezi. Ndryshe, futbollisti Blerim Ferati, i cili erdhi nga radhët e Teteksit do të jetë pjesë e Shkëndijës në sezonin pranveror, ndërsa më herët skuadrën tetovare e përforcuan Dejan Dimitrovski, Aleksandar Toleski, Elfat Bajrami dhe Maxhunarov.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›