E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Votimi i ligjeve me 3/5, hap vendimtar për t’i dhënë fund ngërçit 2 vjeçar”

18-11-2011 / Gazeta 55

Komisioneri për Çështjet e Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle

Komisioneri për Çështjet e Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle vlerëson miratimin me konsensus ndërpartiak në parlamentin e Shqipërisë të vendimit për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe të dy ligjeve, që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash prej tre të pestash.
Fyle përshëndeti vendimin e marrë të hënën më 14 nëntor nga Konferenca e Kryetarëve për ngritjen e një grupi parlamentar pune për reformimin e rregullores dhe procedurës së parlamentit dhe një kalendar për rishikimin e aprovimin e ligjeve me tre të pestat.
“Këto zhvillime, së bashku me fillimin e aktivitetit të plotë parlamentar në shtator, përbëjnë hapa vendimtarë përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve politike në vend, që pritet gjithashtu t’i japin fund ngërçit politik. Këto janë elementë të rëndësishëm në përpjekjet e reja të Shqipërisë për të çuar përpara reforma kyçe dhe përmbushur 12 prioritetet kryesore të përcaktuara në opinionin e vitit të kaluar të Komisionit Evropian lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Fyle. Komisioneri për Zgjerimin inkurajoi fuqishëm mazhorancën qeverisëse dhe opozitën që të shfrytëzojnë këto zhvillime pozitive, të rikthejnë dhe ruajnë plotësisht dialogun konstruktiv politik për të lejuar funksionimin e duhur të institucioneve kryesore demokratike, veçanërisht funksionimin e parlamentit, dhe të arrijnë rezultate konsensuale të reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. “E gjitha kjo duhet të rezultojë me krijimin e një vrulli të ri në reformat e Shqipërisë për integrimin në BE dhe veçanërisht në zbatimin e 12 prioriteteve kyçe të raportit të Komisionit Evropian”, theksoi Fyle.
Komisioneri Stefan Fyle siguroi se, “Komisioni Evropian mbetet i gatshëm për të vijuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij për sa i takon synimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›