Kuvendi votë unanime për ligjet me 3/5-at, dhe për komisionin e Reformës Zgjedhore

Kuvendi miratoi dje me votën unanime ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Me 130 vota “pro”, ligjvënësit i dhanë “Ok” komisionit të posaçëm parlamentar për hartimin e ligjit të ri elektoral, duke realizuar kështu një kërkesë permanente të faktorit ndërkombëtar, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve të Brukselit.
Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do ketë një afat 3-mujor, do të përbëhet nga 10 anëtarë, 5 nga opozita dhe 5 nga mazhoranca, dhe ka 2 bashkëkryetarë, Ilir Rusmali nga Partia Demokratike dhe Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste. Përbërja e mazhorancës do jetë me 2 anëtarë të Partisë Demokratike, ndërsa nga një anëtar do ketë forcat politike parlamentare si LSI, PR dhe PDIU. Ndërsa opozita do ketë 4 anëtarë nga Partia Socialiste dhe 1 anëtarë nga PBDNJ, si e vetmja parti e vogël parlamentare i koalicionit opozitar.
Komisioni i posaçëm do të hartojë amendamentet për Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të raporteve të fundit të OSBE/ODIHR-it. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk gjejnë konsensus, do të kërkohet ekspertiza e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Gjatë punës së tij komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1 për qind të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do të zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor.
Votë konsensuale u dha edhe për ligjet me shumicë të cilësuar. Kuvendi votoi me konsensus jo vetëm projektligjet që kërkojnë 3/5 e votave, si Kodin Detar dhe atë Hekurudhor, por dhe projektligjin për Sigurinë e Produkteve jo-ushqimore si dhe disa ndryshime në ligjin “Për Bankat”. Kësisoj, marrëveshja dypalëshe PD – PS e 14 nëntorit për çështjet e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar, u konkretizua me votën konsensuale për ngritjen e komisionit të posaçëm zgjedhor dhe disa ndryshimeve ligjore në Kodin Ajror dhe Kodin Hekurudhor, këto të fundit të miratuara më parë në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Kjo është hera e parë pas 2 vitesh që mazhoranca dhe opozita votojnë në unanimitet një ligj që kërkon shumicë të cilësuar parlamentare.
Pas apeleve të njëpasnjëshme të kancelarive perëndimore, misioneve ndërkombëtare në Tiranë dhe vetë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, opozita me rezistencë pranoi t’i nënshtrohet rregullave parlamentare të një shteti demokratik, duke përmbushur detyrën e saj Kushtetuese. Ishte pikërisht bojkoti dhe bllokimi i parlamentit nga Partia Socialiste shkaku i penalizmit të Shqipërisë, për të dytin vit me radhë, në vlerësimin vjetor të Komisionit Evropian, për dhënien e statusit të vendit kandidat. Siç duket, më në fund është kuptuar rëndësia e integrimit Evropian, në një kohë kur Brukseli ka dhënë mesazhin e ekzistencës së një mundësie për akordimin Shqipërisë të statusit të vendit kandidat në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE, në mes të muajit dhjetor të këtij viti.
Anëtarët e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore:
Mazhoranca
Ilir Rusmali – PD (Bashkëkryetarë)
Viktor Gumi – PD
Vangjel Tavo – LSI
Fatmir Mediu – PR
Shpëtim Idrizi – PDIU
Opozita
Damian Gjiknuri – PS (Bashkëkryetarë)
Vasilika Hysi – PS
Arben Isaraj – PS
Armando Subashi – PS
Vangjel Dule – PBDNJ