“Pakti, i vonuar - të fitojmë kohën e çmuar për integrimin e vendit”

Ilir Meta, kreu i LSI-së
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në vijim të turit të tij në Elbasan, ku dhe ka zhvilluar një takim me strukturat e LSI-se, është shprehur i gatshëm për bashkëpunim në realizimin e reformës zgjedhore, e cila sipas tij, duhet të jetë transparente dhe gjithëpërfshirëse.
“Ne do të përkushtohemi në maksimum për të realizuar një reformë sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it duke ndërmarrë hapa konkrete në përmbushjen e standardeve zgjedhore, të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, u shpreh Meta.
Duke shtuar se megjithatë, pavarësisht nga këto vonesa të pajustifikueshme është e rëndësishme të ecim përpara, të fitojmë kohën e çmuar në këto procese shumë të rëndësishme për të gjithë vendin pasi të gjithë e shohim që kohët që po kalojmë nuk janë kohët më të arta edhe për vetë Bashkimin Evropian. “Kjo kërkon më shumë impenjim, më shumë konsensus, më shumë konstruktivitet për realizimin e atyre standardeve të cilat e përshpejtojnë procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ky ka qenë dhe mbetet një objektiv madhor i vetë LSI-së”, tha ai.
Meta shtoi se është e rëndësishme që u krijua edhe Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, një komision që duhet të ishte krijuar prej kohësh. “Ne nga ana jonë do të angazhohemi që ky komision të përmbushë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të pasur standardet më të larta në zgjedhjet e ardhshme dhe më duhet të nënvizoj se është shumë e rëndësishme që ky të jetë një proces i cili konsensusin e orienton drejt standardeve dhe nuk i sakrifikon standardet për hir të çdo lloj konsensusi. Qëllimi është që të arrijmë standarde më të larta në zgjedhje se konsensus kemi pasur edhe në të kaluarën”, tha më tej, kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Qëllimi i vizitës së Ilir Metës në Elbasan ishte përgatitja e strukturave për zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti në këtë forcë politike. “Qëllimi i zgjedhjeve nuk është vetëm për të konsoliduar strukturat e partisë, por edhe për t’u treguar të hapur në anëtarësimin e qytetarëve në LSI”, tha ai.
Gjithashtu, Meta u shpreh se në Elbasan LSI drejton pesë njësi vendore dhe se numri i anëtarëve është shumëfishuar pas zgjedhjeve të 8 majit. Në takimin me strukturat e LSI-se ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. “Tashmë ka ardhur koha për të bërë plane për zgjedhjet e ardhshme elektorale dhe për këtë duhet të punohet intensivisht. Për të arritur këtë, lind nevoja për rizgjedhjen e strukturave. Procesi do të shoqërohet me sjelljen e elementëve të rinj në parti, ndërkohë qe duhet të përqendrohemi tek LRI-ja, e cila është pjesa me vitale e partisë, si dhe t’i japim një dimension të rëndësishëm edhe Forumit të Gruas”, deklaroi Haxhinasto.