Ardian Nuni mohon “strehimin” në SHBA: Kthehem në prill në Tiranë
TIRANE - Anëtari i Gjykatës së Lartë Ardian Nuni hodhi poshtë dje lajmin e bërë publik në mediat elektronike, sipas të cilit, ai bashkë me familjen kanë kërkuar strehim politik në SHBA. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë tha se për momentin ndodhet jashtë Shqipërisë për një periudhë pushimesh, porse shumë shpejt do të kthehet në detyrë në Shqipëri. "Jam njohur me lajmin e publikuar në Shqipëri. Është një informacion i pavërtetë", tha Ardian Nuni, gjatë një komunikimi telefonik me gazetën "Panorama", nga Nju Jorku i SHBA. I pyetur për informacionin e bërë publik, gjyqtari tha se nuk e dinte kush e kishte përhapur një gjë të tillë duke përsëritur kundërshtimin e tij për gjithçka pretendohet lidhur me largimin nga Shqipëria bashkë me familjen. "Nuk e di nga është marrë ai informacion, ajo që dua të them është se unë vërtet jam jashtë Shqipërisë tani, po përfundoj një periudhë pushimi, por shumë shpejt do të kthehem në detyrën time në Shqipëri", tha anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Largimi i tij nga Shqipëria u bë publik më 5 mars 2009 në gazetën "Panorama". Sipas të dhënave të kësaj kohe, gjyqtari së bashku me familjen, u largua te vëllai i tij në SHBA për një periudhë pushimi, pas ngjarjes së rëndë që i ndodhi në Tiranë, ku persona ende të panjohur qëlluan tri herë me armë, duke tentuar të vrasin juristin e njohur. Anëtari i Gjykatës së Lartë konfirmoi dje shkaqet e largimit të tij, duke thënë se gjatë qëndrimit në SHBA, iu nënshtrua disa verifikimeve mjekësore që treguan gjendjen e tij të mirë. Juristi i njohur tha më tej se në muajin prill 2009 do të jetë në krye të detyrës në Gjykatën e Lartë në Tiranë, duke hedhur poshtë aludimet sikur jeta e tij është e rrezikuar në Shqipëri. Spekulimet për "arratisjen" e gjyqtarit janë bërë dje publike, ndërsa Ardian Nuni erdhi në qendër të vëmendjes publike pas atentatit të bërë ndaj tij mbrëmjen e 9 shkurtit 2009. Gjyqtari u qëllua atë mbrëmje me tre plumba, të cilët e dëmtuan në gjymtyrë por pa pasoja për jetën. Atentati po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ende nuk ka arritur të identifikojë autorët e krimit. tr.so