Bashkia, bursa për 50 gra të papuna
Kualifikim profesional për 50 gra të papuna. Gjithçka e ka mundësuar Bashkia e Tiranës, në mënyrë që kjo kategori të integrohet në tregun e punës. Këto bursa studimi do të kryhen në sekretari, rrobaqepësi dhe kujdestari fëmijësh. Projekti “Duke kultivuar prosperitet”, i mbështetur dhe nga shoqata dhe fondacione, si ai i Abraham Linkoln e Kryqi i Kuq, do të shtrihet në të gjithë Tiranën. Kryebashkiaku Edi Rama, deklaroi dje se do të ndërmerren sërish projekte të tilla. Ai e cilësoi këtë nismë si një hap përpara për të luftuar papunësinë, e cila sipas tij sa vjen dhe thellohet, pasi nuk ndiqen politikat e duhura. “Papunësia është një plagë që po thellohet përditë, edhe për faktin se prej vitesh mungojnë politikat largpamëse për punësimin, mungojnë ato rrugë që u japin mundësinë njerëzve”, tha Rama. Kryebashkiaku shtoi se bashkia do të synojë për më shumë kurse kualifikimi të kësaj natyre, pasi zanatet e ndryshme në vend sa vijnë dhe zhduken. Kjo sipas tij, sepse mungon arsimi profesional, ndërkohë që shumë nga ata që mbarojnë universitetet, mbeten të papunë.