E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik droge e armësh me avionë, FBI kap 3 shqiptarë

 

Tre shqiptarë u arrestuan nga agjentët e FBI-së në SHBA, nën akuzat se kanë drejtuar një rrjet të trafikut të drogës dhe armëve. Grupi kriminal, sipas hetimit, përbëhej prej 26 personave, nga të cilët 17 janë vënë në pranga ndërsa nëntë të tjerë janë shpallur në kërkim. Një gazetë amerikane në SHBA, publikoi dje lajmin dhe fotot e shqiptarëve së bashku me avionët e bllokuar, pasi ishin përdorur në trafikimin e drogës dhe të armëve. Sipas gazetës, shqiptarët që drejtonin rrjetin e drogës janë Myfit Dika, 44 vjeç, Gazmir Gjoka, 55 vjeç dhe Kujtim Lika, 44 vjeç. Mes personave të tjerë të arrestuar janë edhe tetë shqiptarë të tjerë, vëllezërit Ervis dhe Galitiano Gjoni, Minir Rizvani, Roden Kote, Alban Tase, Gejsi Siko dhe Gentian Naçi, si dhe Përparim Billa. Aktiviteti i këtij grupi kriminal që vepronte kryesisht në Nju Xhersi, Filadelfia dhe Çikago, ishte në hetim që prej vitit 2003. Infiltrimi i agjentëve të FBI-së në radhët e grupit ka mundësuar sigurimin e provave filmime, që implikonin 26 të dyshuarit në trafikun e drogës dhe armëve. Operacioni i koduar "Shqiponja e Zezë" ka arritur të sekuestrojë dy avionët me të cilët realizohej trafiku i lëndëve narkotike, kryesisht ekstazi, heroinë dhe kokainë, drejt Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Hollandës dhe Kanadasë. FBI ka arritur të sekuestrojë edhe 500 mijë dollarë, të përfituar nga trafiku i drogës. Sipas të përditshmes amerikane "Wins" bëhet e ditur se drejtuesit e grupit Myfit Dika, Gazmir Gjoka dhe Kujtim Lika janë nga Shqipëria dhe banonin në Nju Xhersi.
ZBULIMI I TRAFIKUT
Agjencitë e lajmeve amerikane, duke iu referuar burimeve nga Byroja Federale e Investigimit në SHBA, shpjegojnë se grupi kriminal vepronte në disa qytete në veri të Nju Xhersit, si në Bruklin dhe Nju Jork, por mësohet se kishte lidhje dhe me grupe kriminale në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Serbi, Kanada si dhe në disa shtete të tjera të SHBA-së. Gjatë operacionit "Shqiponja e Zezë", FBI sekuestroi më shumë se 500 mijë dollarë, si dhe dy aeroplanë të cilët dyshohet se përdoreshin për të transportuar drogën, armët dhe lëndët e tjera të kontrabandës. Një aeroplan u sekuestrua në aeroportin Linkoln Park të Nju Xhersit dhe aeroplani tjetër në Hartford Breinard të Konektikatit. Rrjeti dhe veprimtaria e tij u zbulua falë agjentëve të FBI-së të infiltruar, të cilët kishin arritur të blinim më shumë se 30 mijë pilula ekstazi dhe 2 kilogramë e 500 gramë heroinë, si dhe 25 pistoleta nga të dyshuarit. Sipas FBI-së, në muajin shkurt piloti Louis Luyten, dhe Paul Robinson, nga Glastonbury ishin regjistruar në një kasetë filmime, teksa arrin një marrëveshje me agjentët e infiltruar të FBI-së për të dërguar 10 kilogramë kokainë nga Florida në aeroportin e Ocean City. Kjo ka qenë prova më e fortë dhe e pakontestueshme, që ka çuar në qeli deri tani 17 persona dhe ka identifikuar si pjesëtarë të grupit edhe 9 persona të tjerë. 

Kush janë 17 personat që  arrestoi FBI

Operacioni i FBI-së në Nju Xhersi, i koduar "Shqiponja e Zezë", ka arrestuar dy ditë më parë 17 persona, si të përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës dhe armëve, si dhe ka sekuestruar 2 avionë, me të cilët realizohej trafiku. Të arrestuarit janë Peter Manna, 29 vjeç, nga Paterson, Nju Xhersi, Pablo Almanzar, 30 vjeç, nga Paterson, Nju Xhersi, Harjrudin Pejçinoviç, 39 vjeç, banues në Bruklin, Nju Jork, nga Maqedonia, Adis Radonçiç, 30 vjeç, banues në Nju Jork, nga Serbia, Lou Degidio, 38 vjeç, nga Bruklin, Nju Jork, Eugene Degidio, 44 vjeç, nga Bruklin, Nju Jork, Paul Robinson, 61 vjeç, piloti i njërit nga avionët e sekuestruar dhe piloti tjetër 71-vjeçar Louis Luyton, të dy nga Glastonberi, Konektikat. Gjithashtu janë arrestuar edhe vëllezërit shqiptarë Ervis Gjoni, 23 vjeç, dhe Galitiano Gjoni 30 vjeç, banues në Nju Jork, Sviatlana Aheyeva, 24 vjeç, banues në Nju Xhersi, Minir Rizvani, 31 vjeç, shqiptar dhe banues në Nju Xhersi, Mile Petkovski, 49 vjeç nga Maqedonia dhe banues në Nju Xhersi, Jason Patrick, 30 vjeç nga Kanadaja, Perparim Billa, 38 vjeç, shqiptar dhe banues në Nju Jork, Abdul Al-Houssaine, 42 vjeç me kombësi afrikane dhe banues në Bruklin, Nju Jork, si dhe Mirsad Kolasinaç, 36 vjeç, nga Maqedonia dhe banues në Nju Xhersi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›