“Nëse energjia do kursehej si në BE, do harxhonim 20% më pak“
Sensibilizim të gjimazistëve për përdorimin me karar të energjisë elektrike. Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit, dhe KESH, u konkretizua dje me një bisedë informuese dhe sensibilizuese, mes krerëve drejtues të institucioneve përkatëse dhe nxënësve të shkollës së mesme “Ismail Qemali”, në Tiranë. “Në qoftë se rendimenti i përdorimit të energjisë elektrike apo jo, në Shqipëri do të ishte në standardet evropiane, Shqipëria sot do të konsumonte të paktën 20 për qind më pak energji se sa konsumon”, u shpreh kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi. Sipas tij, nëse mbas vitit ’90 të gjitha godinat që janë ndërtuar do të ishin ndërtuar me termoizolimin e duhur, të paktën 10-15 për qind e konsumit të energjisë elektrike në dimër do të ishte më i ulët se sa është sot. “Këto janë gabime që ne i kemi bërë gjatë disa dekadave dhe duhet që tani dhe me ligje, dhe me vendimmarrje politike, por edhe me edukim e duke i bërë këto ne kemi mundësi që t’i përmirësojmë në të ardhmen që të mos kemi këtë rendiment dhe këtë efiçencë ekonomike që kemi sot”, vërejti Drejtori i KESH. Ministri i Arsimit Fatos Beja, tha se kjo marrëveshje mes institucioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Ne do të vijojmë të bashkëpunojmë në mënyrë që ato që ju i merrni në mënyrë teorike në mësimet tuaja gjatë mësimeve të përditshme por dhe gjate orëve të lira t’i angazhoni në jetën tuaj të përditshme”, u shpreh Beja.