“Vonesat me lejet, studentët të aplikojnë për vizë”
Një mundësi e re për t’u rikthyer në Itali u jepet të gjithë studentëve, që kanë studiuar atje. Të “djegurit” gjatë vonesave të lëshimit të parë të lejes së qëndrimit mund të pajisen me vizë hyrëse. Gjithçka e bëri me dije gjatë një deklarate për mediat ambasada italiane në vendin tonë. “Studentët shqiptarë, të cilët kanë faturën (riçevutën) që vërteton paraqitjen e kërkesës për lëshimin e lejes së parë të qëndrimit për motive studimi dhe që janë kthyer në Shqipëri mund të paraqesin kërkesë për vizë”, sqaron ambasada. Sipas kësaj deklarate, ky aplikim mund të kryhet edhe pse nuk gëzojnë nga lehtësirat e urdhëresave dhe komunikatave të Ministrisë së Brendshme të publikuara kohë më parë. “E gjithë kjo kategori mund të paraqesë kërkesën për vizë rihyrëse pranë kancelarisë konsullore të Ambasadës italiane në Tiranë, pranë Konsullatës në Shkodër ose Konsullatës së Përgjithshme në Vlorë, sipas vendbanimit në Shqipëri”, thuhet në deklaratë. Në të theksohet se viza mund të lëshohet nga Zyra e Vizave vetëm pasi është lëshuar leja përkatëse “nulla osta” nga ana e Kuesturës kompetente. Përpos, kësaj qarkorja e fundit e Ministrisë së Brendshme italiane i thotë po çfarëdolloj pune, që studentët shqiptarë mund të bëjnë në Itali. Por me një kusht. Nuk duhet të tejkalohen 1040 orë në vit çka do të thotë se asnjë prej tyre nuk do të mund të punojë më shumë se 20 orë në javë. Nëse ata duan të punojnë më tepër se kaq atëherë duhet të konvertojnë lejen e qëndrimit nga leje për motive studimi në leje për motive punësimi. Kjo klauzolë është vënë në mënyrë të tillë, që studentët të gjejnë kohën për t’iu përkushtuar universitetit, por mund të sigurojnë edhe jetesën. “Studentët e huaj në Itali mund të kryejnë çdo lloj pune, qoftë edhe rastësore në përpjekjet e tyre për të përballuar jetesën edhe kështu të shtrenjtë, në pagesën e taksave universitare dhe deri në ndonjë zbavitje të domosdoshme për t’u relaksuar sado pak”, sqarojnë ekspertët e emigracionit të Ministrisë së Punës në vendin tonë.