Ilir Paja, gjykata nuk pranon gjykimin e shkurtuar
TIRANE - Ilir Paja, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë të një agjenti policor, nga Gjykata e Krimeve të Rënda, do të gjykohet në një proces normal. Togat e zeza të Krimet e Rënda rrëzuan dje kërkesën e të pandehurit Paja, emrit të njohur për dy arratisje nga burgjet italiane, për gjykim me kohë të shkurtuar. Vendimi u dha dje nga kryesuesi i pesëshes gjykuese që ka nën shqyrtim dosjen në ngarkim të Pajës, gjyqtari Idriz Mulkurti. Sipas vendimit të djeshëm nuk u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, pasi u nga ana e gjykatës u çmua se çështja nuk mund të shqyrtohej me gjendjen aktuale në të cilën ndodheshin aktet. Gjykata bëri të ditur se në aktet e paraqitura nuk ishte e përfshirë skica e vendit të ngjarjes. Gjithashtu, sipas vendimit të gjykatës, çmohej e domosdoshme pyetja e të gjithë dëshmitarëve. "Gjykata çmon se është e domosdoshme të bëhet pyetja e të gjithë dëshmitarëve përpara gjykatës dhe të saktësohen të gjitha rrethanat e ngjarjes", u shpreh kryesuesi Mulkurti. Kërkesa, për gjykim me kohë të shkurtuar u bë nga i pandehuri Paja një seancë më parë. Ngjarja për të cilën akuzohet Ilir Paja ka ndodhur më 6 mars të vitit 2008. I akuzuar për vepra të rënda penale të kryera në Gjermani dhe në Itali dhe i njohur për dy arratisjet e tij, Paja është pikasur nga dy agjentë të operacioneve speciale në një nga rrugët e kryeqytetit. Pasi e kanë ndjekur për njëfarë kohe dhe janë siguruar se bëhej fjalë për të kërkuarin, agjentët specialë kanë vepruar për të kryer prangosjen e tij. Njëri prej agjentëve i ka bllokuar korsinë e lëvizjes Pajës, me motorin me të cilin po lëviznin ndërsa tjetri i është afruar duke e lajmëruar se ishin agjentë policie. Me të vënë re praninë e policisë, Paja ka reaguar dhe i ka dhënë makinës indietro me shpejtësi të madhe, duke përplasur agjentin me motor. "Ai ka marrë poshtë motorin e agjentit B.H, ndërsa mjeti ka vazhduar lëvizjen duke kaluar trafikndarësen dhe duke mbajtur nën vete zvarrë, motorin dhe agjentin e policisë", thuhej në kërkesën për gjykim të Prokurorisë për të pandehurin Paja. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Paja po gjykohet për akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë në rrethana të cilësuara. Nga drejtësia gjermane dhe ajo italiane, ai akuzohet për vepra të rënda penale përfshi edhe vrasjen. ar.ba