E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardian Vehbiu sjell "Folklorin e elitave"

Ai jeton prej vitesh larg Shqipërisë. Thotë se kjo është edhe arsyeja se përse masmediat shqiptare, e veçanërisht shtypi, interneti, por deri diku edhe televizioni i kanë shërbyer si shqisa, me të cilat percepton ngjarjet e këtushme, reagimet e njerëzve, zhvillimet, dështimet dhe në përgjithësi imazhin që shqiptarët kultivojnë për vetveten. Është Ardian Vehbiu. Prej vitesh është i pranishëm me esetë e veta në shtypin shqiptar. Së fundmi, ka publikuar vëllimin e titulluar "Folklori i elitave". Një përmbledhje, e cila shpreson ta orientojë lexuesin në këtë kaos të komunikimit post-totalitar mes shqiptarëve, ku historia realizohet nëpërmjet së përditshmes dhe e ardhmja ia dikton trajtat së tashmes. Në parathënie, Vehbiu tregon se ky libër është fryt i përpjekjeve të tij gjatë dy-tre viteve të fundit, për ta kuptuar më mirë mënyrën se si po funksionojnë mediat në Shqipëri dhe si po u përshtaten ndryshimeve të thella në shoqërinë shqiptare. Për Ardian Vehbiun, mediat janë hapësira ku edhe ai vetë ekziston si autor dhe vendos marrëdhëniet e tij me publikun. Përveçse në shtypin e shkruar, ai rrëfen se është aktiv në hapësirat mediatike edhe nëpërmjet prodhimtarisë së mjediseve virtuale, siç është interneti, ku distancat e komunikimit ripërkufizohen pareshtur dhe debatet shërbejnë si tryeza për të mbledhur autorë dhe lexues së bashku. Ardian Vehbiu është diplomuar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës në vitin 1983. Ai ka punuar si gjuhëtar, pedagog i gjuhës shqipe dhe përkthyes nga Tirana në Napoli të Italisë. Duke nisur prej vitit 1996 jeton në Nju Jork. Prej vitesh është i pranishëm në shtypin shqiptar me esetë dhe analizat e tij. Ardian Vehbiu ka botuar disa libra me ese si "Zhargonet e kombit", "Kuzhinat e kujtesës", "Fraktalet e shqipes", "Midis zhgënjimit dhe mitit". "Folklori i elitave" është botimi i tij më i ri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›