E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pranverë në Kosovë", në Torino

U shfaq në Torino të Italisë në fund të muajit shkurt, në Muzeun e Rezistencës, Deportimit, Luftës, të Drejtave dhe Lirive filmi

dokumentar "Pranverë në Kosovë". Prezantimi i filmit dhe diskutimi pas tij u ndoqën me mjaft interes nga një publik i zgjedhur prej mbi njëqind të ftuarish, mes të cilëve spikasnin filozofi i shquar Gianni Vattimo. Dokumentari, shfaqja e të cilit u organizua nga shoqata "Vatra", i përcolli publikut një dëshmi të gjallë të ngjarjeve të përjetuara nga populli kosovar ditën e pavarësisë, përmes pamjeve të filmuara nga regjisori i ri shqiptar Erjon Kadilli. Dokumentari "Pranverë në Kosovë" është xhiruar në Kosovë në shkurt 2008, pikërisht në periudhën para, gjatë dhe menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Ai është një udhëtim emocionues dhe prekës në jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë të Kosovës dhe në qytetin e tyre, Prishtinën, ku janë ende të dukshme gjurmët e luftës, por ku edhe shpresa për jetën është ndoshta më e fortë se tjetërkund. Shfaqja solli pranë publikut torinez atmosferën e ndezur dhe emocionet e mëdha të asaj dite historike, të parë me sytë e protagonistëve të saj. Në qendër të dokumentarit është pikërisht populli kosovar, ëndrrat e tij dhe shpresa për të ardhmen, e cila i është mohuar shpesh

gjatë rrjedhës së historisë.

In memoriam për inxhinierin gjeolog, të talentuarin Shaban Xhezo: "Këtu isha zjarr, atje jam hi…"

Ai ishte vetëm para pak kohësh në Shqipëri, sepse ka emigruar shpejt në Amerikë, qysh në fillim të viteve ‘90. Atëherë më tha: "Do të shkoj pas fëmijëve, nuk kalohet vetëm pleqëria…" (Se edhe gruaja i kishte vdekur, gati dy dekada më parë.)

Kur erdhi kohët e fundit, dhe vinte çdo vit, u trondita, se e pashë shumë të rënë fizikisht, të mërzitur, të përmalluar, si asnjëherë tjetër. U përqafuam dhe, pa e pyetur, më tha: "Erdha, por siç duket, për herë të fundit… Do të shkoj në Berat (qytetin e lindjes që e donte aq shumë), të çmallem me njerëzit, të shëtis sokak më sokak, (m‘u kujtua kënga beratase "Edhe gurët e sokakut, për ty bëjnë shiqajet…"), do të trokas portë më portë, në ato vende që më kujtojnë fëmijërinë…"

I tronditur vazhdoja ta shikoja në fytyrë mikun tim prej dekadash, inxhinierin e talentuar e shkencëtar dhe m‘u kujtua një fjalë e tij, kur u kthye për herë të parë nga mërgimi në Amerikë: "Këtu isha zjarr, atje jam hi", më tha (Iku truri, po kush mbeti?"… një poezi kjo e Xhevahir Spahiut.)

Nuk është rastësi, me sa duket, që kur mendojmë mërgimin, ikjen e miqve e të trurit të kombit, na kujtohet historia e poetët….

…Ishin vitet në universitet. Ishim në të njëjtin fakultet, atë të Gjeologji-Minierave.

Ai studionte për Gjeologji. Ishte i rregullt, sistematik, serioz, student i shkëlqyer. Takoheshim shpesh, sidomos fundjavave, apo gjatë pushimeve në Berat.

Universitetin e mbaroi, sigurisht shkëlqyeshëm. Ndërsa unë mbarova pas tij, nja tre vjet më vonë dhe u takuam në punë, tanimë. Punoi në vendburimin e naftës, në Marinzë, kryesisht, në degën gjeologjike, por shumë shpesh edhe në kantier për të kryer matjet e parametrave kantieralë, që janë baza e projektit dhe shfrytëzimit të vendburimit. Ai ishte gjeolog dhe e ndiqte vendburimin, siç ndjek mjeku i mirë pacientin. Por nuk e teproj po të them se vendburimi është, në mos më shumë, po aq i komplikuar sa pacienti. Sidomos një vendburim si Marinza, aq komplekse nga ana gjeologo-inxhinierike dhe natyrës së shtratimeve.

Ishte kënaqësi e veçantë ta shihje Shabanin kur punonte apo fliste, gjithë inteligjencë e pasion. Çdo gjë e bazuar në shkencë e në teknologjinë më moderne.

Për nivelin që kishte në fushën e ekspertizës shkencore të gjeologjisë, herë pas here e kishin kërkuar të punonte në Institutin e Kërkimeve, por… nuk ishte komunist…. Megjithatë, nuk ishte kjo e vetmja arsye që edhe në institut punonte vetëm si anëtar i jashtëm….

Shaban Xhezo kishte një kulturë të thellë për gjithë inxhinierinë e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës e të gazit. Por, akoma "më ekspert" ishte në gjeologjinë e shfrytëzimit të vendburimeve ranore. Pa mëdyshje, ai mund të quhet themeluesi i shkollës së gjeologjisë kantierale për shfrytëzimin e vendburimeve ranore.

Gjatë gjithë kësaj kohe takoheshim rrallë e për mall se "në naftë nuk ka orar pune". Rreth viteve "80 u krijua Qendra e Kualifikimit të Punonjësve të Naftës dhe sa mirë, caktuan drejtor të kësaj qendre vetë shkencëtarin Shaban Xhezo.

Për të dija nuk kyçej në vitet e universitetit dhe libri nuk mbyllej menjëherë pas marrjes së diplomës. Më merrte shpesh në telefon: "Na dil këtej, thoshte, se na kanë ardhur disa libra dhe revista interesante". Natyrisht, këtë gjë nuk e bënte vetëm me mua, por me të gjithë ata që e donin librin dhe që mund të lexonin edhe në gjuhë të huaj.

Prej dijes, librit dhe pasionit për punën, nxori edhe disa metoda "kapitaliste", jo vetëm në shkencë e aplikim, por edhe në disa forma shpërblimi. Ishin modeste, pa dyshim, dhe nuk mund të ishin ndryshe.

Ndryshe tanimë për shumëkënd janë të njohur "armiqtë e Partisë e të popullit në sektorin e naftës". Për fat të keq, krijoheshin, edhe kur nuk kishte të tillë.

Për Shaban Xhezon, që rridhte nga një familje e vjetër qytetare beratase, puna ishte më me "zarar". Pakkush ia kujtonte kontributin dhe traditat patriotike të familjes e fisit të tij në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare. Origjinën "i pasur" kujdes! Sidomos, ku dhe kur dikush, sigurisht, injorant, quan "kapitaliste" dhe "armiqësore" vetëm e thjeshtë leximin në gjuhë të huaj(!), pa kujtuar eksperimentet "kapitaliste".

Këto, apo "kontrollin e klasës punëtore" e të shefit të kuadrit, mbi shkencën e shkencëtarin, bisedonim, "midis nesh" sigurisht.

Pse duhej goditur intelektuali dhe shkencëtari i naftës edhe me strese e gjendje të tilla psikologjike? A nuk i mjaftonte lodhja me punën, me librin dhe me të fshehtat e nëntokës?!

Nuk mund ta harroj provokimin dhe shqetësimin që i sollën disa nga "klasa", punëtorë të naftës, kur Shabani shkoi t‘i inspektonte e kontrollonte në punën e tyre në periferi të Kuçovës. Ndoshta nga dembelizmi, paaftësia, apo të manipuluar nga Sigurimi i Shtetit, ata iu kundërvunë inxhinierit: "Pse, nuk e dimë ne që ju e keni me tendencë me ne? Ju kujtoni se ne nuk e dimë biografinë tuaj? Ne e dimë mirë që këto toka, në këto fshatra ku derdhim djersën, klasa punëtore ka qenë pronë e prindërve dhe gjyshit tuaj, bejlerë e agallarë që na kanë pirë gjakun atëherë…"

I fyer dhe i shqetësuar, por dhe duke e ditur edhe nga "përvoja e shokëve" çfarë e priste më tej, e mbajti frymën te kushëriri i tij në Tiranë, Arshin Xhezo, i cili në atë kohë ishte kryeredaktor i gazetës më të madhe të vendit, "Zërit të Popullit"

- Pse je prerë në fytyrë?! Ǒtë ka ndodhur?

Rrugës për te "Kafja e Gazetarëve" matanë rrugës, përballë ndërtesës së gazetës, gjithmonë i tensionuar, zuri t‘i thotë thelbin e shqetësimit. Por, për çudinë e tij, kushëriri e dëgjonte i qetë duke buzëqeshur. Madje, kur hynë në kafe, nuk u ulën "kokë më kokë të qanin hallin", po e uli në një tavolinë ku e ftoi me dorë Petro Marko, shkrimtari.

- Këto gjëra të kujtojnë kohën e Koçi Xoxes, - tha shkrimtari që i pati provuar me qelinë e burgut "ato gjëra".

- Koçi Xoxe dhe koha e tij ka vdekur! - tha kushëriri.

Siguria dhe sjellja shpërfillëse e kushëririt dhe fakti që ai e kishte të lehtë të bënte një telefon "andej lart", e kthyen të qetë në shtëpi.

…Ai iku familjarisht në Amerikë me Green Card, u bë qytetar amerikan, por vinte çdo vit….

"Shabanin nuk do ta shohim më"….

Më pikëlloi lajmi i hidhur matanë telefonit dhe ashtu, siç mbyllen dyert e kinemasë para fillimit të një filmi, me këto radhë në letër, xhirova edhe unë një pjesë fare të vogël të kujtimeve për mikun dhe shokun tim, Shaban Xhezo.

Titull të filmit do të vija fjalët e tij: "KËTU ISHA ZJARR, ATJE JAM HI…."

Jo, miku im! Njerëzit si ti mbeten gjithmonë zjarr, kudo ku janë…. Të siguroj, se ky zjarr po ngroh, madje, akoma më shumë fëmijët e tu, fisin tënd, të gjithë miqtë e tu, vendin tënd…



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›