Kujtohet koreografi Gëzim Kaceli
Mjeshtri i koreografisë shqiptare, Gëzim Kaceli, i ndarë nga jeta 10 vjet më parë, është përkujtuar nga shoqata "Tirana" dhe TOB. Një nga pinjollët e familjes së njohur tiranase, u kujtua dje si një prej themeluesit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957. Për nder të valltarit, balerinit, koreografit, baletmaestrit e pedagogut të shquar në TOB u interpretuan pjesë të krijuara prej Kacelit. Gëzim Kaceli vlerësohet si një model i kontributit për zhvillimin dhe emancipimin shoqëror, si dhe i modestisë së artistit gjenial. Udhëtimi i tij i gjatë në rrugën e vështirë dhe plot sakrifica të artit nis në vitin 1945, ku ai ishte vetëm 12 vjeç, e deri në vitin 1998, kur ai u nda nga jeta. Disa nga perlat e valleve shqiptare, si vallja e Tropojës, vallja e Tiranës, trio e malësisë së Tiranës, valle arbëreshe e shumë të tjera janë realizuar prej Gëzim Kacelit. Në këtë përvjetor, shoqata "Tirana" ka kërkuar që shkolla e mesme kombëtare koreografike të mbajë emrin e tij.